
TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar në mbledhjen e mbajtur më 31 janar 2024 kuotat e pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Kështu sipas KLGJ, në vitin akademik 2024-2025 do të pranohen 20 kandidatë për magjistratë, profili gjyqtar dhe 15 kandidatë për ndihmës ligjorë, që do të pranohen në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës. Me këtë vendim, KLGJ bën me dije se pavarësisht se është hequr mesatarja për pranimet në Magjistraturë, kuotat mbeten të pandryshuara nga vitet e tjera akademike, që ka qenë kusht mesatarja 8.
NJOFTIMI:
Sot, në datë 31.01.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në përmbushje të detyrimit ligjor dhe pas analizimit të situatës së sistemit gjyqësor dhe mundësive që ka Shkolla e Magjistraturës, miratoi numrin prej 20 (njëzet) kandidatë për magjistratë, profili gjyqtar dhe 15 (pesëmbëdhjetë) kandidatë për ndihmës ligjorë, që do të pranohen në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2024-2025.
Më tej, Këshilli miratoi “Raportin vjetor të veprimtarisë së Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale për vitin 2023” si dhe “Raportin vjetor mbi veprimtarinë e Komisionit Disiplinor gjatë vitit 2023”.
Këshilli vendosi miratimin e raportit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. {…}, me qëllim gradimi, për periudhën e vlerësimit 2013-2016, gjatë ushtrimit të detyrës së inspektores pranë Inspektoratit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ndër të tjera, Këshilli miratoi vendimin për transferimin e znj. {…} në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si dhe përfundimin para afatit të kohëzgjatjes së komandimit të gjyqtares znj. {…}, si ndihmësmagjistrate pranë Gjykatës së Lartë.
Këshilli miratoi vendimin për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me Vendimin nr. 129, datë 01.04.2021, për kandidaten znj. {…}.
Në vijim, Këshilli vendosi për hapjen e procedurës dhe shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, kohëzgjatjen, kriteret dhe procedurën e komandimit, për 4 (katër) pozicione “Nëpunës përgjegjës për vlerësimin” në Njësinë e Vlerësimit Profesional dhe Etik të Gjyqtarëve, si dhe 1 (një) pozicion “Këshilltar” në Njësinë Mbështetëse pranë Komisioneve të Përhershme.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi për caktimin e seancës dëgjimore në datën 15 shkurt, për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates znj. {…} me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}.
Gjithashtu, Këshilli vendosi për caktimin e seancës dëgjimore në datën 15 shkurt, për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates znj. {…} me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}.
Këshilli miratoi vendimin për transferimin në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për gjyqtarët znj. {…} dhe znj. {…} në një pozicion të lirë në fushën e së drejtës civile, gjyqtarët znj. {…}, znj. {…} dhe znj. {…} në një pozicion të lirë në fushën e së drejtës penale, si dhe gjyqtarin z. {…}., në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Këshilli miratoi vendimin për përfundimin para afatit të transferimit të përkohshëm me pëlqim për gjyqtarët znj. {…} dhe znj. {…}.
Po ashtu, në kuadër të transferimeve si më sipër, gjatë mbledhjes u vendos të shqyrtohej dhe miratohej edhe përfundimi para afatit të transferimit të përkohshëm me pëlqim për gjyqtarin z. {…}.”
Neni 10 i Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, ‘regjistrimi i kandidatëve për magjistratë dhe kriteret e pranimit, përcaktonte në shkronjën (d) se, për t'u pranuar në formimin fillestar për magjistrat, duhej që ndër të tjera të kishte notë mesatare të përgjithshme mbi 8-të, si dhe ‘notë mesatare mbi 8 (tetë) për grupin e lëndëve kryesore, ku përfshihen: E Drejta Civile dhe e Detyrimeve, E Drejta Penale, (Pjesa e përgjithshme dhe pjesa e posaçme), Procedura Civile, Procedura Penale, E Drejta Administrative dhe e Drejta Kushtetuese. Me ndryshimin e disa ditëve më parë, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka mundësuar që edhe të diplomuarit si juristë që nuk arrijnë këtë kriter të munden të jenë pjesë e trupës së magjistratëve të rinj, nëse zgjidhen si fitues./ZËRI