Aktualitet

U kap duke blerë vota për Fisnik Qosen në Kavajë, SPAK mbyll hetimet për Klodian Kapidanin

Para togave të zeza, Kapidani deklaroi se bisedat ishin zhvilluar kryesisht me bashkëshorten e tij dhe se vetëm me të kishte folur për vota.

k.m.
U kap duke blerë vota për Fisnik Qosen në Kavajë, SPAK mbyll
Klodian Kapidani dhe Fisnik Syla

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për Klodian Kapidanin. Ky i fundit akuzohet se ka blerë vota në favor të kandidatit të koalicionit "Bashkë fitojmë", Fisnik Syla. Ndaj tij, nuk ka pasur asnjë kallëzim të bërë në Prokurori, por aktiviteti i tij u pikas nga SPAK përmes përgjimeve telefonike. Para togave të zeza, Kapidani deklaroi se bisedat ishin zhvilluar kryesisht me bashkëshorten e tij.

"Bisedat për vota i kam bërë vetëm me gruan time,"-tha ai në Gjykatë

Më tej, Kapedani i kërkoi gjykatës masë më të butë sigurie se arresti në burg me argumentin se ka një vajzë të vogël 2-vjeçare të sëmurë, për të cilën tha se duhet të përkujdeset, kërkesë e cila nuk iu pranua. Prej 9 qershorit, ai ndodhet në pranga. Tani që hetimet janë mbyllur i duhet të presë për të mësuar vendimin nga Gjykata e Posaçme. 

NJOFTIMI I PLOTË:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për proçedimin penal nr.88 viti 2023 që bën fjalë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar fakti se i pandehuri Klodian Kapidani, me banim në Kavajë, në datën 14.05.2023, datë në të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme vendore për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare me qëllim për të marrë pjesë në votime, për të siguruar pjesëmarrjen edhe të personave të tjerë në votime, si dhe për të përcaktuar mënyrën e votimit. Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.88 viti 2023 në ngarkim të të pandehurit Klodian Kapidani, i akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Në zgjedhjet e 14 majit, Kapedani ka mbështetur kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fisnik Qosja, i cili u shpall fitues përballë ish-kryebashkiakut dhe kandidatit socialist, Redjan Krali. Fisnik Qosja fitoi me 11769 vota, ndërsa Redjan Krajli mori 10914 vota./ZËRI

Poll

MOS HUMB