
TIRANË- Mjeku i njohur Arvin Dibra, prej shumë vitesh kirurg në QSUT, është nisur për mjekim të specializuar drejt Italisë, pas incidentit që pësoi gjatë zhytjes në lumin Buna. Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 10 Gusht, ku pas marrjes së ndihmës së parë në QSUT, pasditen e të mërkurës mjeku është nisur me një avion privat drejt Italisë, për mjekim më të specializuar.
Gjendja e mjekut ka qenë duke u përmirësuar, duke kaluar rrezikun për jetën, por sipas mjekëve ai ka pasur dëmtime të shumta më pjesën e rruazave të shtyllës kurrizore. Megjithatë do të duhet ende kohë për rikuperimin e plagëve që kanë qenë serioze, dhe sipas bluzave të bardha kirurgu do të mbahet në kujdes intesiv. Mësohet se të gjitha trajtimet ndaj mjekut janë bërë privatish nga familja e tij, e cila ka mbuluar edhe kostot.
Shefi i Kirurgjisë, ka qenë duke ngrënë drekë me familjen, në një lokal në Dajç, pranë bregut të Bunës. Ai është futur për t’u larë dhe është zhytur me kokë, por fatkeqësisht është përplasur me gurët në thellësi dhe ka marrë dëmtime serioze.
Ngjarja ndodhi të shtunën e 10 gushtit, rreth orës 12:25. Fillimisht 52-vjeçari u transportua me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndërhyrje mjekësore më të specializuar dhe pas operacionit të parë pati përmirësime të lehta. Por më tej është rekomanduar nisja për në Itali, për mjekim edhe më të specializuar.
Prof.Dr. Arvin Dibra aktualisht është Shef i Klinikës 1 Kirurgjikale QSUT, si dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë.