
GREQI- Nga përleshja e ndodhur mes të burgosurve në burgun e Korydallos në Greqi, ku mbeti i vrarë 35-veçari shqiptar Alfons Ndoci, ka mbetur i plagosur edhe Altin Vokrri, 46 vjeç, shqiptar i Kosovës. Vokrri raportohet se është qëlluar me thikë dhe ka marrë dy plagë në pjesën e kurrizit. Ai është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
46-vjeçari është i dënuar për përfshirje në organizatë kriminale dhe trafik droge, pjesë e grupit të Sandër Pemaj, që dyshohet për trafikimin e 1.2 ton kokainë, që u kapën në Janar 2020.
Në 25 janar të 2020 1.18 ton kokainë u kapën në Astakos Greqi në operacionin e policisë greke, asaj shqiptare dhe DEA-s amerikane rezulton se është porosi 100 % e grupeve shqiptare me aktivitet nga Amerika Latine në Europë e Shqipëri. Sipas dosjes së autoriteteve greke rezulton se shqiptarët e arrestuar mes tyre Sandër Pemaj, Arbër Përdedaj, Lek Doda, Maksim Preçi, Erjon Tuci, Erlind Zotaj dhe Vanda Ciubara e dashura moldave e një prej shqiptarëve kishin rolin e pritjes, akomodimit dhe ruajtjes së drogës.
Ndër emrat e organizatorëve dhe kordinatorëve të kësaj ngarkesë hetuesit grek kanë identifikuar shqiptarin resident në Spanjë me pseudonimin “Doktori”, Kristaq Ziun ose Enkeled Zeqon, Alfred Arapin, Eduart Lamaj, Altin Vokrrin dhe Arben Bazinin shtetas këta ende të pa arrestuar dhe shpallur në kërkim. Altin Vokrri ishte një nga personat kryesorë që janë marrë me sigurimin e kokainës, pagesën si dhe transportin për në Greqi dhe sigurimin e personave që do të merreshin me transportin dhe sigurinë në det dhe në tokë.