
TIRANË- Zbardhet dëshmia e Agim Jazajt, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri në Tiranë në ditën e parë të Vitit të Ri, pranë xhamisë së “Xhurës” në zonën e “Oxhakut” në kryeqytet. Raportohet se para hetueseve ai ka deklaruar se me autorin e ngjarjes Saimir Xhafën kishte pasur një zënkë banale, e nisur brenda ambienteve të xhamisë e më pas degradoi jashtë saj. Autori i ngjarjes vijon të jetë në arrati, ndërsa Policia ka vënë 5000 euro shpërblim për “kokën” e tij.
Ndërkohë këtë të mërkurë, burime për ZËRI-n bënë me dije se Agim Jazaj e fyente dhe bullizonte gjithë kohën Xhafën, sidomos gjatë kohës para ose pas faljes në xhami. Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve, në ditën e ngjarjes mes tyre fillimisht ka pasur konflikt brenda ambienteve të xhamisë dhe më pas situata ka dalë krejtësisht jashtë kontrollit në ambientet e jashtme, ku Saimir Xhafa ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar 3 herë në drejtim të Jazajt, duke e lënë të plagosur në bark./ZËRI