SHËNGJIN- Policia Shqiptare ka arrestuar reperin Rigels Rajku, i njohur si Noizy. Reperit iu vendosën prangat në Shëngjin, teksa ishte duke dhënë një koncert së bashku me DJ-in e tij, Bahtjar Bajraktari i njohur si "DJ Crax". Edhe ky i fundit, nuk i shpëtoi arrestimit pasi akuzohet gjithashtu se ka dhunuar Medi Isenin. Të dy janë ndaluar për llogari të Prokurorisë së Pejës, e cila ka nisur një hetim për të zbardhur akuzat e ngritura ndaj reperit dhe pritet që të ekstradohen drejt Kosovës.
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar "Fast". Kapen nga Fast Albania dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia "FAST Albania" në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri. Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor "Fast", kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina. Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.
Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit si Noizy, bashkë me grupin e tij është përfshirë në një sherr masiv, ku dyshohet se ka dhunuar Medi Isenin. Personazhi i njohur i 'Tik-Tok' Medi Iseni akuzon se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat. Ndërsa, reperi Noizy ka anuluar dy koncerte deri më tani, për shkak të çështjes në fjalë, një në Pejë dhe një tjetër në Gjilan. Prokuroria e Pejës po heton çështjen./ZËRI