
TIRANË- Kur kanë kaluar pothuajse 3 javë nga rënia e zjarrit në ambientet e Urgjencës së re në QSUT, tashmë ka dalë dhe shkaku zyrtar i flakëve. Sipas aktekspertimit të siguruar nga weblajm zjarri ka ardhur nga një anomali në UPS (baterinë e emergjencës).
Ky akt është administruar si ekspertizë nga shërbimi zjarrfikës dhe është bërë pjesë e dosjes, ndërsa policia dhe prokuroria vazhdojnë të kryejnë hetime intensive.
Zjarri është konstatuar mëngjezin e 11 shkurtit rreth orës 05:25 të mëngjezit duke nisur nga kati i dytë në dhomën teknike të godinës “Urgjenca e Re”.
Shkaku i zjarrit deri në këtë fazë të hetimit konsiderohet aksidental ndërsa pjesë e dokumentacioneve që po verifikohen janë edhe projektet e zbatuara nga kompania e kontraktuar për ndërtimin e godinës e cila është një investim publik.
“Ngjarja në fjalë është aksidentale, dhe zjarri në katin e dytë në dhomën teknike të godinës ka rënë si pasojë e një keq funksionimi të pajisjeve bateri (U.P.S-ve) nga ku rezulton se është edhe vatra e zjarrit”, thuhet në akt ekspertizë. Ndërkohë që tashmë që kanë kaluar rreth 3 javë nga zjarri, Urgjenca vijon që të jetë pjesërisht jashtë funksionit.
QSUT deklaroi pak ditë më parë se shërbimi i urgjencës polivalente pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vazhdon të ofrohet sipas një grafiku në Spitalin Universitar të Traumës si dhe në Qendrën Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”.
Ndërsa qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës, Fierit e Beratit do marrin urgjencën kardiologjike, atë të sëmundjeve të brëndshme e atë ortopedike në Spitalin Memorial, ndërsa urgjencat kardiologjike për qarkun Shkodër dhe Lezhë trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër. Aksidentet vaskulare cerebrale trajtohen në Sherbimin Neurovaskular në QSUT ndërsa urgjencat e tjera neurologjike në QSR Shefqet Ndroqi./ZËRI