TIRANË- Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator, ora 09:30, për rishqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Seanca do të zhvillohet pas rikthimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese, e cila kërkoi rishqyrtimin e vendimit për masën “arrest në burg” dhe argumentimin e arsyeve se përse nuk është e përshtatshme një masë tjetër më e butë.
Trupa gjykuese që do të shqyrtojë çështjen në Gjykatën e Lartë përbëhet nga Sander Simoni si relator, ndërsa anëtarë janë Valbon Çekrezi dhe Genti Shala.
Më herët, nga shqyrtimi i kërkesës janë tërhequr gjyqtarët Sokol Binaj dhe Albana Boksi, pasi kishin shqyrtuar kërkesa të mëparshme të Veliajt. Gjithashtu, më herët dha dorëheqjen edhe relatori Ilir Panda.
Në Gjykatën e Lartë do të rishqyrtohet kërkesa e kryebashkiakut të Tiranës kundër masës së sigurisë “arrest në burg”, me të cilën ai kërkon lirimin e menjëhershëm, si edhe shqyrtimin në themel të pretendimeve të paraqitura në rekurs. Në vendimmarrjen e saj, Gjykata e Lartë pritet të vlerësojë nëse masa e sigurisë “arrest në burg” është proporcionale.
Më 25 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi që ankimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për lirimin nga qelia të shqyrtohet sërish nga Gjykata e Lartë. Vendimi u mor me shumicë votash, 5 me 3 në favor të kërkuesit, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes në instancën më të lartë gjyqësore.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

