Aktualitet

Vetëm shaka nuk është!/ 'Do ta vras', Gjyqtarja Arnisa Këlliçi u kërcënua nga prokurori, zarfi i erdhi nga Fushë Kruja

Historia ka nisur mbi një javë më parë! Një prokuror (identiteti i tij është i njohur për ZËRI, por kemi zgjedhur që të mos e zbulojmë) ka shkuar për të takuar kancelarin e Gjykatës së Tiranës. Teksa

k.m.
Vetëm shaka nuk është!/ 'Do ta vras', Gjyqtarja Arnisa
Arnisa Këlliçi

TIRANË- Disa versione po shqyrtohen lidhur me kërcënimin e gjyqtares Arnisa Këlliçi. Prej të shtunës, çështja e saj është në faqet kryesore të mediave në vend, ndërsa me çdo ditë që kalon zbulohet nga një pistë e re. ZËRI, pasi ka hulumtuar lidhur me rastin, do të zbardhë për ju detaje të reja. Dje, gazetarja Anila Hoxha ngriti dyshime se kërcënimi i saj mund të ketë ardhur nga vetë kolegët, e gjitha si pasojë e përshkallëzimit të një shakaje. E vërteta është se kërcënimi me të vërtetë ka ardhur prej një kolegu, por jo si shaka. Kërcënimi ka qenë i vërtetë dhe madje verbalisht. I shoqëruar më pas edhe me një letër, e cila mbante mbi të vulën e burgut të Fushë Krujës.

Historia ka nisur mbi një javë më parë! Një prokuror, i identifikuar me inicialet A.D., (identiteti i tij është i njohur për ZËRI, por kemi zgjedhur që të mos e zbulojmë) ka shkuar për të takuar kancelarin e Gjykatës së Tiranës. Teksa bisedonin, situata ka dalë nga kontrolli dhe prokurori e ka kërcënuar kancelarin. Në bisedë e sipër, ka përmendur edhe emrin e gjyqtares Këlliçi.

"Do ta vras edhe atë,"-mësohet se është shprehur prokurori dhe më pas është larguar. Por e gjithë biseda është e regjistruar nga kamerat në zyrën e kancelarit, i cili nuk ka pritur gjatë por ka shkuar dhe e ka kallëzuar çështjen në Polici. Paralelisht ka njoftuar edhe vetë gjyqtaren për bisedën e bërë dhe për kërcënimin e 'hedhur' në emër të saj. Gjithashtu e shokuar nga ndodhia, të nesërmen gjyqtarja e ka thirrur prokurorin në zyrën e saj dhe ka kërkuar një bisedë për t'u sqaruar. 

Se çfarë është thënë në bisedën mes tyre, më shumë detaje ka dhënë gazetari investigativ Artan Hoxha. 

"Gjyqtares i ka shkuar një letër që ka sipër pullën postare dhe vulën dhe pullë e burgut të Fushë Krujës. Letrën e ka hapur ditën e shtunë. Në letër ka gjetur këtë tekst, ajo është shqetësuar, i është drejtuar Policisë. I ka shkuar kjo letër, ka njoftuar në Polici, i është ofruar mbrojtje nga Policia, i është dhënë ruajtje nga struktura e posaçme. Javën e kaluar ajo është vënë në dijeni nga kancelari i Gjykatës se një prokuror, po i Tiranës, e ka marrë kancelarin e ka kërcënuar me jetë dhe i ka thënë edhe për prokuroren do ta vras. Kjo bisedë është e regjistruar. Kancelari e ka lajmëruar dhe e ka regjistruar. Ka bërë edhe një kallëzim në Prokurori. Gjyqtarja e ka thirrur prokurorin, ndërsa ai i është justifikuar se nuk kam qenë në një gjendje të mirë emocionale, kam qenë edhe nën efektet e alkoolit, të kërkoj ndjesë. Kjo nuk ka bërë kallëzim për këtë gjë. Ndërkohë që kancelari e ka pasqyruar këtë gjë dhe e ka regjistruar bisedën. Kur ka bërë kallëzimin ditën e shtunë për kërcënimin që i ka ardhur nga burgu, ka shtuar edhe kërcënimin që i ka ardhur nga prokurori. Tani kjo gjë është interpretuar si shaka. A është marrë në mbrojtje? Kallëzimi i kancelarit është bërë para një jave por nuk është vepruar. Nuk më duket shaka, se po të ishte ashtu, do e ishin marrë vesh mes tyre,"-tha gazetari Artan Hoxha gjatë emisionit "TPZ".

Pra me kërkesën e faljes, duket se e gjitha është mbyllur mes tyre. Madje kanë diskutuar edhe për një çështje që gjyqtarja kishte në dorë, ku personi në fjalë ishte prokuror. Bëhet fjalë për një dosje të trafikut të drogës, ku pas paqes, prokurori i kërkon ndihmë gjyqtares. Atë ditë të dy palët u ndanë me paqe nga njëri-tjetri. 

Por në momentin që është marrë vesh se kancelari ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, çështja është rindezur sërish. 3 ditë pas bisedës, në zyrën e gjyqtares shkon me postë një letër nga burgu i Fushë Krujës. Zarfi hapet vetëm të shtunën, kur edhe lajmi bëhet publik për mediat dhe për Policinë e Shtetit, ndërsa hetimet nisin. Edhe pse mesa duket me 2 dosje të ndryshme, kërcënimi ndaj kancelarit po trajtohet veç, ndërsa edhe ai i gjyqtares është ndarë. Edhe pse bëhet fjalë për të njëjtin person dhe për të njëjtin kallëzim, hetimet vazhdojnë të ndara. Prokurori në fjalë, duhet që të hetohet për kërcënimin, por edhe për lidhjen e tij në burgun e Fushë Krujës, ku me shumë gjasa janë të vendosur personat që ai vetë duhet që t'i vendosë në peshoren e drejtësisë.

Shumë ka ndodhur lidhur me ngjarjen, që më mirë nga gjithçka e tregojnë kamerat e kancelarit, por një gjë është e sigurtë, nuk është një shaka./ZËRI

Poll

MOS HUMB