
DURRËS- Xhemal Loka, bashkëshorti i Bedrie Lokës, 41-vjeçares që u vetëhelmua me fotoksinë, ka mohuar akuzat se ka lidhje me ngjarjen duke i qëndruar versionit të parë se ngjarja erdhi si pasojë e bullizimit në Tik TYok. Në dëshminë e tij, para hetuesve në Policinë e Durrësit, Loka ka thënë se nuk i ka bërë presion së shoqes. Ndërsa sa i përket dëshmive të fëmijëve, të cilët kanë deklaruar se babai e dhunonte nënën e tyre, ai ka preferuar të heshtë.
“Nuk e kam dhunuar gruan. Bashkëshorten e kisha për shtëpi, nuk e çova drejt vetëvrasjes. Vetëvrasja e saj erdhi si pasojë e postimeve të TikTok-ut. Kemi pasur konflikte si çdo familje, por gruan e doja. E kam dashur si nënën e fëmijëve të mi. Në mëngjes kam parë që kishte pirë helm dhe e kam çuar me shpejtësi drejt spitalit të Durrësit për ta shpëtuar. Gruan time e dua dhe nuk e kam dhunuar”, ka deklaruar Xhemal Loka.
Bedrie Loka i dha fund jetës katër ditë më parë, pasi dyshohet se ka qenë e dhunuar nga i shoqi. Xhemal Loka u vu në prangat e policisë mëngjesin e të shtunës, pasi 4 fëmijët e çiftit dëshmuan në polici dhunën e vazhdueshme që babai ushtronte ndaj nënës së tyre. E para që ka folur në polcii ka qenë vajza e madhe e çiftit, e cila ishte martuar vetëm pak kohë më parë. Në datën 27 Dhjetor, rreth një javë para vdekjes së Bedrie Lokës, bashkëshorti i saj, i cili sapo ishte kthyer nga emigrimi, i kishte vendosur thikën në fyt 41-vjeçares. Në banesë u gjet dhe një armë zjarri e vjetër, si dhe u sekuestrua telefoni i bashkëshortit./ZËRI