TIRANË- Vazhdon përballja e Safet Gjicit me drejtësinë. Gjykata e Posaçme e Apelit ka pritur sot në sallë ish-kryebashkiakun e Kukësit, i cili ka kundërshtuar vendimin e marrë ndaj tij nga GJKKO. Por kundërshtim për këtë vendim ka pasur edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që ka kërkuar shpalljen fajtor të Gjicit për dy vepra penale: atë të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. Edhe njëherë, SPAK ka dhënë pretencën duke kërkuar dënimin e tij me 4 vite e 6 muaj burg, ndërsa për Alma Kaçin, akuza kërkon 1 vit e 5 muaj burg.
Por duhet theksuar se të dy përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Alma Kaçi nuk u paraqit as në këtë seancë, gjithashtu as avokatja e saj mbrojtëse. Në këto kushte, Apeli caktoi një avokat kryesisht, Arben Pecin, i cili kërkoi pafajësinë e klientes së tij. Trupa gjykuese dëgjoi të dyja palët, ndërsa vendimi do të merret më 24 qershor.
Safet Gjici u përfshi në një skandal seksual. Publikimi i videos, ku ai kryente marrëdhënie seksuale në zyrë me Alma Kaçin nuk i kushtoi Gjicit vetëm lënien e mandatit por dhe burgun. Ish-kryebashkiaku u dënua me 2 vjet burg, ndërsa, Alma Kaçi u dënua me 1 vjet burg. Po ashtu, Safet Gjicit i hiqet edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet./ZËRI