TIRANË- Vizita e kreut të SPAK, Altin Dumani, në Departamentin e Shtetit (DASH0 është diskutuar përgjatë këtyre ditëve, pasi ende nuk kishte një informacion zyrtar në lidhje me takimin dhe temat e diskutimit. Ndërkohë, një zyrtar i DASH ka zbuluar për Top Channel se çfarë u diskutua në takimin me kreut të SPAK dhe zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan.
“Shtetet e Bashkuara po punojnë me Shqipërinë për qëllimet tona të përbashkëta të ndalimit të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt. Zyrtarë të lartë të Departamentit u takuan me Kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Dumani, për të diskutuar fusha të bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë”, ka thënë zyrtari i DASH.
Vizita e Dumanit në Uashington erdhi në një moment vendimtar për SPAK-un dhe institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet që pas pak javësh të hapë garën për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme ndërsa shumë shpejt pritet të zgjidhet edhe kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Vitin e kaluar Dumani u nderua me çmimin “Kampion në Luftën Kundër Korrupsionit”, dhënë nga ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken.