TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj Laert Haxhiut, ku pritet të dëgjohen 12 dëshmitarë. Një prej tyre ishte Sami Bashaliu, kushëriri i viktimës Albi Bashaliu, i cili dëshmoi për vrasjen e ndodhur më 27 dhjetor 2021 në Gjocaj të Peqinit.
Para gjykatës, Bashaliu ka rrëfyer momentet e ngjarjes, duke thënë se autorët kanë mbërritur me një automjet tip “Audi” me ngjyrë të bardhë dhe xhama të errët. Sipas tij, nga makina ka zbritur një person i maskuar, i cili ka qëlluar disa herë ndaj Bashaliut. Dëshmitari tregoi se në momentin e ngjarjes ndodhej në lokalin e tij, ku viktima kishte hyrë për të pirë kafe dhe pasi ky i fundit ka dalë jashtë, një person i foli dhe më pas u dëgjuan të shtënat.
Sipas dëshmisë së tij, pas ekzekutimit autorët morën çelësat e makinës së viktimës, ndërsa personi tjetër që ishte në automjet i vuri flakën mjetit me benzinë dhe më pas u larguan. Bashaliu tha se ishin dy persona, njëri i gjatë dhe i hollë, por nuk mundi t’i identifikonte apo të përcaktonte nëse autori ishte Laert Haxhiu. Ai gjithashtu deklaroi se nuk kishte dijeni për përfshirjen e Haxhiut apo persona të tjerë të përmendur gjatë procesit.
Pjesë nga dëshmia në gjykatë:
Prokurori: A ka ndodhur ndonjëherë ndonjë vrasje pranë lokalit tuaj?
Sami Bashaliu: Nja dy ose tri ditë para Vitit të Ri. Ka kohë që ka ndodhur.
Ndërhyn Gjykata me pyetje: Na trego detaje, të lutem.
Dëshmitari: Ishte një makinë e bukur. Dola, pashë rreth e qark, por nuk pashë gjë. U futa brenda, ndeza sobën dhe prisja klientët që vinin për kafe. I ndjeri Bashaliu hyri për të pirë kafe dhe, në momentin që doli, dikush i foli. Bashaliu ktheu kokën dhe u dëgjua zhurma e armës. Ai djali ishte i gjatë, i hollë dhe e kishte mbuluar kokën me maskë. E qëlloi. Djemtë që ishin në lokal u trembën dhe ikën. Ishte një person që qëlloi, por ishin dy persona gjithsej; tjetri qëndroi në makinë.
Gjykata: Na trego më shumë, të lutem. Çfarë mban mend?
Dëshmitari: Ai doli, i foli Bashaliut dhe e qëlloi. Ai që e qëlloi qëndroi aty. Bashaliu ra në tokë. Mua më bënë me dorë të futesha brenda: “Futu brenda, futu brenda”. Nuk bëra zë. I mori çelësat, ndërsa telefonin ia la në vend, nuk e preku. Pastaj ai tjetri i vuri flakën makinës me benzinë dhe u larguan. E keni parasysh, shteti bëri punën e vet.
Prokurori: Mos bëj kështu au-iu. A u mor vesh kush i vrau këta njerëz? Po për tjetrin, a u mor vesh kush e vrau Leonard Bashaliun?
Dëshmitari: …
Prokurori: Po Artan Tafani, ose ndryshe Marius Tafani, a ke dëgjuar?
Dëshmitari: Jo.
Prokurori: Po për Lulezim Spahinë? Po për Laert Haxhiun?
Dëshmitari: Jo, jo, jo. Nuk kam dëgjuar gjë.
Prokurori: Kur e ka frekuentuar për herë të fundit i ndjeri Albi Bashaliu lokalin?
Dëshmitari: Një natë më parë. Të nesërmen ndodhi ngjarja. Ka qenë rreth orës 19:00, mbase.
Prokurori: E përcolle ti nga lokali?
Dëshmitari: Jo. Pse duhet ta përcillja? Ishte rreth orës 23:00, diçka e tillë.
Prokurori: A i njihje personat me të cilët rrinte?
Dëshmitari: Ka ndenjur me njerëzit e fisit tonë, sepse jemi fis i madh.
Prokurori: Pas ndodhjes së ngjarjes, a vinte më në lokal ky Henriko Xhahysa?
Dëshmitari: Jo.
Avokati Detar Hysi: Ju shkuat në varrimin e të ndjerit?
Dëshmitari: Po, vajta.
Avokati: Po sot, si janë marrëdhëniet?
Dëshmitari: Shumë të mira.
Gjykata: Me përshkrimin fizik të dy personave, a mbani mend ndonjë karakteristikë të tyre? A i mbani mend këta persona?
Dëshmitari: Kanë qenë dy persona. Ai që bëri vrasjen ishte i gjatë dhe i hollë, ndërsa tjetri ishte pak më i shkurtër. Ata kishin kapele dhe maska Covid-i.
Gjykata: Ndonjë element të veçantë?
Dëshmitari: Jo, nuk pashë gjë tjetër.
Gjykata: Prokuror, a keni pyetje tjetër?
Prokurori: Nëse do të të jepej rasti t’i shikoje këta persona, sipas përshkrimit që bëre, të gjatin dhe të hollin, a do të ishe në gjendje t’i përshkruaje? A do të thoshe dot: “Ky person ka qëlluar me armë”?
Dëshmitari: Vallahi, nuk e përcaktoj dot.