
VELIPOJË- Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Velipojë, me dy viktima, ka qenë një krim i paralajmëruar, pasi ka qenë vazhdim i një konflikti që kishte nisur që në muajin Qershor. Burime bëjnë me dije se njëri prej viktimave, Ersild Ishmi, në muajin Qershor, ka shkuar në hotelin “Holiday”, në pronësi të vëllezërve Eduart dhe Gëzim Frroku, dhe ka kërcënuar me armë kuzhinierin e këtij biznesi.
Shkak për këtë ishte bërë konflikti që kuzhinieri kishte pasur me një prej punonjësve të tjerë në hotel, i afërm i Ishmit. Ngjarja ka ndodhur në datën 28 Qershor, ndërkohë që Ishmi do të arrestohet nga policia rreth dy javë më vonë, për t’u lënë më pas i lirë nga ana e gjykatës, edhe pse akuzohej për kanosje.
“Kanosi me armë zjarri pistoletë kuzhinierin e lokalit gjatë një konflikti të çastit. Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim një 33-vjeçar si autor të dyshuar. 33-vjeçari kur konstatoi se po vinin shërbimet e Policisë hodhi armën e zjarrit dhe u largua me shpejtësi ku vijon puna për kapjen e tij.Sot me date 14.07.2024 Nga shërbimet operacionale Shkoder u kap dhe shoqërua shtetasi në kërkim Ersild Ishmi, dtl.20.09.1991, banues në Shkodër”, njoftonte Policia e Shkodrës, por në një vendim të dyshimtë Gjykata e Shkodrës e kishte lënë të lirë Ishmin.
Duke përfituar nga liria, mbrëmjen e së hënës, Ishmi së bashku me kunatin e tij Arsid Hoxha, ka shkuar sërish në hotelin Velipoja, ku është përballur me dy pronarët, të cilët pas konfliktit fizik, kanë qëlluar me armë, duke lënë të vdekur dy të rinjtë.
Eduart dhe Gëzim Frroku pas vrasjes së dyfishtë kanë mundur që të arratisen nga vendngjarja, ndërsa Ishmi dhe Hoxha nuk kanë mundur që t’i mbijetojnë plagëve të marra./ZËRI