Aktualitet

Vrasja e Vanessas nga shqiptari, italiania ishte kërcënuar dhe nga një tjetër burrë

Edhe një tjetër burrë nga Maroku e kishte kërcënuar dhe përndjekur Vanessa Ballan.

D.XH
Vrasja e Vanessas nga shqiptari, italiania ishte kërcënuar dhe nga
Vannesa Ballan dhe Bujar Fandaj

ITALI – Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e italianes Vanessa Ballan nga shqiptari Bujar Fandaj. Vanessa duket se ka qenë viktimë e përndjekjes dhe kërcënimeve jo vetëm nga Fandaj, por edhe persona të tjerë.

Mediat italiane shkruajnë se në vitin 2021, ajo ishte përndjekur nga një shtetas maroken. Me pretekstin e denoncimit të një vjedhjeje në korridoret e Eurospin, ai kishte arritur të merrte numrin e celularit të saj. Megjithatë, synimet e tij ishin të tjera. 49-vjeçari filloi ta bombardonte me mesazhe në WhatsApp, duke i kërkuar takime. Duke parë se interesi nuk ishte reciprok, ai e intensifikoi presionin. Midis 22 korrikut dhe 4 gushtit 2021, marokeni e kishte pritur disa herë në parkingun e supermarketit, duke shkuar deri në shtëpinë e saj. 49-vjeçari e kishte kapur për qafe në portën e shtëpisë së saj. Kur situata ishte bërë e padurueshme dhe kishte kaluar çdo cak, 26-vjeçarja kishte shkuar për të bërë një ankesë të njëjtën ditë në stacionin policor të Riese, në të njëjtit vend ku dy vjet më vonë denoncoi edhe ish-të dashurin nga Kosova.

PROCESI GJYQËSOR

Ankesa kishte rezultuar në gjykimin e 49-vjeçarit nga Maroku, edhe pse pala e përndjekur kishte thënë se do ta tërhiqte padinë. Pavarësisht kësaj, prokurori e çoi çështjen në gjyq, për shkak se kishim të bëjmë me vepër penale. Nuk dihet pse Vanessa e kishte tërhequr denoncimin. Ndoshta ajo thjesht donte që marokeni ta linte të qetë. Megjithatë, dy vjet më vonë, dashuria e sëmurë e një kosovari (të takuar gjithmonë në supermarket) rezultoi fatale. Vanessa ishte një vajzë e bukur, e gëzuar, e shoqërueshme, gjithmonë e buzëqeshur, e cila ishte arkëtare në një supermarket në provincë. Pikërisht për shkak të këtyre karakteristikave, ajo kishte marrë lëvdata të padëshiruara dhe vëmendje më tepër se duhet në shumë raste, sikundër ngacmime.

NËNVLERËSIMI I SITUATËS

Pas denoncimit ndaj shqiptarët Bujar Fandaj, duket se situata është nënvlerësuar, sepse rezulton se ndaj shtetasit nga Kosova nuk është marrë asnjë masë. Prokurori Marco Martani tha se në lidhje me këtë, është duke u hetuar. “Pres të më vijnë kërkesa për shpjegime nga Roma, nisur nga dosja hetimore ndaj Bujar Fandajt dhe pse munguan masat ndaj tij, edhe pse kishte denoncim për përndjekje dhe kërcënime. Unë do të përgjigjem në përputhje me rrethanat”, tha prokurori. Autoritetet italiane pretendojnë se edhe ndaj Fandajt janë ndjekur të gjitha procedurat e rastit. Shqipari duket se ka shpëtuar pa masë sigurie nga vepra e përndjekjes, për faktin se nuk ka pasur precedent të mëparshëm penalë./ZËRI/

Poll

MOS HUMB