
KAMËZ- Një sherr për kanalin e ujërave të zeza i mori jetën pasditën e kësaj të enjteje Shefqet Hasës, 55 vjeç. Ai u qëllua me breshëri plumbash kallashnikovi nga fqinji i tij Maliq Marku. Nga të shtënat me armë ka mbetur i plagosur dhe një tjetër fqinj, i identifikuar si Besim Keçi. Ky i fundit ndodhet në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.
Siç mund të shihet dhe nga pamjet, viktima është e mbuluar nga gjaku në derën e portës së autorit. Ndërkohë grupi hetimor mblodhi provat në vendin e ngjarjes. Shefqet Hasa ka ndërruar jetë menjëherë për shkak të plagëve të shkaktuara nga plumbat.


Sipas dëshmive, fqinjët kanë qenë grindur dhe më parë për këtë shkak, por fatkeqësisht konflikti i sotëm përfundoi me vrasjen e Hasës në derën e banesës së tij.
Autori kishte 2 javë që ishte kthyer nga Anglia, konflikti që kishte me banorët
70-vjeçari Maliq Marku, që kreu vrasjen e një personi dhe plagosi një tjetër, me origjinë nga Dibra, kishte 2 javë që ishte kthyer nga Anglia. Ai është konfliktuar me të dëmtuarit për kanalin e ujërave të zeza. Banorët kanë thënë se ata vatë kanë mbledhur para për të ndërtuar kanalin e ujërave të zeza, ndërsa Marku nuk ka dhënë para. Kjo, sepse ndodhej jashtë shtetit dhe ka deklaruar se nuk i duhej kanali. Pasi ka ardhur nga Anglia, ai ka shkuar pranë kanalit, që të bëjë lidhje edhe për banesën e tij. Fqinjët i kanë thënë se nuk do ta lejojnë të bëjë lidhje, se nuk ka paguar. Në gjaknxehtësi e sipër, ai ka marrë një pistoletë në banesë dhe ka qëlluar mbi viktimën dhe të plagosurin.
Është zbuluar edhe fotoja e autorit të krimit të rëndë, Maliq Markut. Siç mund të shikoni në foton e siguruar nga Zëri.ai, ky është autori i vrasjes së 55-vjeçarit Shefqet Hasa dhe i plagosjes së 50-vjeçarit Besim Keça.

Në dëshminë e tij në polici, autori Marku ka thënë se ka vrarë 55-vjeçarin Shefqet Hasa dhe ka plagosur Besim Keçën, për konfliktin që kishin për kanalin e ujërave të zeza.
Mësohet se viktima Shefqet Hasa, 55 vjeç punonte si shofer në linjën e urbanit të Kamzës. Kryepolici i Kamzës deklaroi ndër të tjera për mediat se autori, 70-vjeçari Maliq Marku ka vrarë Hasën dhe plagosur Besim Keqën, me një armë pa leje. Edhe ai tha se shkak për konfliktin ka qenë një konflikt i çastit për një kanalizim të ujërave të zeza.

Në vendngjarje ishte edhe polici i zonës
Viktima i konfliktit në Laknas të Kamzës, Shefqet Hasa ka marrë në trup 4 plumba. Ndërsa, 2 plumba ka marrë i plagosuri Besim Keça, 1 në bark dhe 1 në këmbë. Kur janë dëgjuar të shtënat e armës, në afërsi të vendngjarjes ka qenë edhe polici i zonës. Ai ka parë se Keça, teksa ishte i plagosur po tentonte të ikte me vrap, ndaj e ka marrë në automjetin e tij. Më tej, polici ka gjetur pa shenja jete shtetasin Shefqet Hasa. Ky i fundit u gjet pa jetë në derën e shtëpisë së autorit. Pasi ka hyrë në banesën e autorit Maliq Marku, policia ka negociuar me të. Fillimisht Marku ka bërë rezistencë dhe nuk ka dashur që të dorëzohet. Por, më pas ai ka hedhur armën në oborr dhe është arrestuar. Ai ka thënë në polici se ka kryer krimin për konfliktin për kanalin.
Në vendin e ngjarjes mbërriti dhe shefi i Komisariatit nr.5, Oliger Torba, i ciloi dha detaje në lidhje me ngjarjen. Sipas tij, autori i ngjarjes është arrestuar në banesën e tij, ndërsa dha detaje për vrasjen.

Oliger Torba: Rreth orës 14:30, në rrugën Fatos Çupi, kemi marrë njoftim në lidhje me një ngjarje kriminale, e menjëherë shërbimet e policisë së Komisariatit numër 5, në bashkëpunim me Forcat Shqiponja, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në kohë reale të autorit të ngjarjes. Autori i ngjarjes është Maliq Marku, 70 vjeç.
Ku u arrestua autori?
Oliger Torba: Në banesën e tij. Ne kemi bërë dokumentimin e gjithë ngjarjes. Nga tërësia e veprimeve proceduriale, rezulton se janë dy persona të dëmtuar, shtetasi Shefqet Hasa që ka ndërruar jetë si dhe shtetasi Besim Keça, që ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
A kanë pasur konflikte më herët personat e përfshirë në ngjarje?
Oliger Torba: Nuk kanë pasur konflikte të mëparshme. Arsyeja e konfliktit është për motive të dobëta. Gjithsesi, ne po kryejmë veprimet tona proceduriale, për të nxjerrë të vërtetën në mënyrë të saktë.
Çfarë ka deklaruar autori?
Oliger Torba: Autori akoma nuk është pyetur, sepse është shumë shpejt.
Arma e krimit ishte me leje apo e mbante pa leje në banesë?
Oliger Torba: Arma ishte pa leje dhe u kap nga shërbimet e policisë në banesë.
Thatë se konflikti ishte për motive të dobëta. Për çfarë bëhet fjalë saktësisht?
Oliger Torba: Bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza. Konflikti nga ana jonë po verifikohet i gjithi.
Tre personat i kanë banesat ngjitur me njëri-tjetrin?
Oliger Torba: Po, janë në një lagje.
Kishte informacione policia në lidhje me konfliktet mes fqinjëve?
Oliger Torba: Konflikti ka qenë i çastit dhe nuk kemi pasur raste për ndërhyrje më herët nga ana e policisë.
I plagosuri ka qenë i përfshirë në konflikt?
Oliger Torba: Konflikti ka qenë i çastit dhe ka qenë aty.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kamëz/Informacion paraprak. Më datë 30.11.2023, në Laknas, në rrugën "Fatos Shupi", pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi M. M., rreth 70 vjeç, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. H., rreth 55 vjeç, si dhe ka plagosur shtetasin B. K., rreth 50 vjeç. Shtetasi B. K., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Autori i dyshuar është arrestuar në flagrancë, si dhe është sekuestruar dhe arma e përdorur gjatë krimit.Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./ZËRI