
TIRANË- Ka marrë fund arratia për vrasësin Eduart Kurti, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë të dy vëllezërve. Policia e Shtetit njofton se ka vënë në pranga 48-vjeçarin, i cili ishte shpallur në kërkim pasi rezultonte i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve në vitin 2012 në Tiranë. I shumëkërkuari është lokalizuar dhe vënë në pranga në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, ditën e sotme, ndërsa akuzohet për veprat penale të “vrasjes me dashje, në rrethana të tjera cilësuese”.
Dyshohet se shkak për ngjarjen makabre është bërë borxhi i një shume prej 200 mijë dollarësh. Paratë ishin dhënë disa kohë para vrasjes dhe viktimat duhej që t’ia kthenin autorit të dyshuar në kohën e duhur, ku përveç kësteve përfshiheshin edhe përqindjet.
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “End”. Falë inteligjencës policore, strukturat e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, lokalizojnë, kapin dhe vënë në pranga një shtetas të shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. I shumëkërkuari nga Policia e Tiranës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje, në rrethana të tjera cilësuese. Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia e Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “End”. Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Eduart Kurti, 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasja me dashje, në rrethana të tjera cilësuese, pasi në vitin 2012, në Tiranë, 48-vjeçari, ka vrarë me armë zjarri dy vëllezërit, shtetasit I. H., 44 vjeç, dhe S. H., 41 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”
Ngjarja ndodhi në mes të Tiranës, pikërisht në bulevardin “Bajram Curri”, ku Kurti qëlloi me plumb në kokë Nikola dhe Inglent Haxhialiun, 41 dhe 44 vjeç. Dy vëllezërit, Iglent dhe Sokol Haxhialiu ishin nisur drejt Beratit atë mbrëmje, kur Kurti u ka prerë rrugën dhe ka hipur bashke me ta. Makina tip “Mazda”, me targë TR 9205 S, drejtohej nga vëllai i vogël, Sokoli; ndërsa vëllai i madh, Iglenti, i liroi sediljen e parë Eduart Kurtit, duke kaluar vetë në pjesën e pasme të makinës.
Në debat e sipër, Kurti ka nxjerrë nga brezi një pistoletë “Miniblow”, me të cilën fillimisht ka qëlluar një herë në kokë Iglentin, që ndodhej në sediljen e pasme. Më pas ka qëlluar dy herë të tjera, në kokë dhe në qafë, Sokolin që ishte duke drejtuar makinën. Pasi ka kryer ekzekutimin, Kurti është larguar nga vendngjarja i ndihmuar prej një personi tjetër, derisa u kap sot, për t'u dërguar në qelinë e burgut.