Aktualitet

Vranë babë e bir/ Ardian dhe Florenc Çapja kërkojnë pafajësinë në Gjykatën e Lartë

Ardian Çapja, vëllai i tij Florenc Çapja dhe Jorgo Leku alias Olsi Leku u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme, lidhur me vrasjen e Nezir dhe Gentjan Beqirit.

f.t
Vranë babë e bir/ Ardian dhe Florenc Çapja kërkojnë
Gentian e Nezir Beqiri, Florenc Çapja dhe Adrian Çapja

ELBASAN- Ardian Çapja dhe anëtarët e grupit të tij, të cilët janë dënuar për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs për ndryshim vendimi. Në rekursin prej 164 faqesh kërkohet ndryshimi i vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë e për rrjedhojë edhe ai i Apelit, duke vendosur deklarimin e pafajshëm të shtetasve Ardjan Çapja dhe vëllait të tij Florenc Çapja, pasi nuk provohet sipas mbrojtjes që të të kenë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Po ashtu grupi kërkon revokimin e masës “Arrest në burg”.

Ardian Çapja, vëllai i tij Florenc Çapja dhe Jorgo Leku allias Olsi Leku u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme, lidhur me vrasjen e Nezir dhe Gentjan Beqirit, babë e bir, e ndodhur mëngjesin e 15 gushtit të vitit 2012 në qytetin e Elbasanit, brenda banesës së të ndjerëve. Me 25 vite secili u dënuan Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani dhe me 15 vite bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi.

Krimi i dyfishtë u zbulua pas arrestimit të Ervis Bardhit në 2018. Ai mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe rrëfeu të gjithë emrat e personave të përfshirë, nga urdhëruesit, organizatorët, ekzekutorët dhe vëzhguesit. Sipas Bardhit, organizator dhe porositës janë Ardjan dhe Florenc Çapja.

Si ndodhi ekzekutimi babë e bir 12 vite më parë

Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.

Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan. Fillimisht Etien Cani bashkë me Lekun, shkuan në shtëpinë e shokut të tyre Gentian Beqiri, duke përshëndetur policët e vendosur në hyrje të pallatit për të mbikëqyrur Nezirin. Ishte babai i shokut të tyre ai që i hapi derën pasi njohu shokët e djalit. Gentian Beqiri teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas është vrarë edhe babai i tij Nezir Beqiri. Ngjarja ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.

Sipas hetimeve të SPAK vrasja e tyre është porositur nga Ardian e Florec Çapja, ku Ervis Bardhi e Olsi Leka janë paguar me 50 mijë euro, ndërsa Klajdi Dokoli në periudhën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë banor i lagjes ku jetonin Gentian dhe Nezir Beqiri, duke vëzhguar me imtësi personat që hynin dhe dilnin, dhe më pas informonte anëtarë të familjes Çapja.

Vrasja dyshohet se erdhi për shkak të një zinxhiri hakmarrjesh mes Çapjave dhe disa grupeve të tjera në Elbasan, të cilat kanë zënë fill që prej vitit 2005 kur u ekzekutua në lokal vëllai i Ardjan Çapjas, Sokoli./ZËRI

Poll

MOS HUMB