
BOLZANO- Gjykata e Apelit të Bolzanos konfirmoi dënimin me 24 vjet burg për Avni Meçjen, 27-vjeçarin me origjinë shqiptare që vrau me çekiç partneren e tij. Sipas mediave italiane, e gjithë ngjarja që ndodhi më 22 Tetor të vitit 2022 u rrëfye nga vetë Meçja, i cili u shpreh i penduar për ekzekutimin e 35-vjeçares Alexandra Elena Mocanu. Pas vrasjes, Mecja u arratis në Shqipëri por vendosi që të kthehej vetë në Itali për t'u përballur me drejtësinë.
Marangozi shqiptar pranoi se e vrau partneren duke e goditur disa herë në kokë me çekiç. Vrasja ndodhi në apartamentin ku jetonin të dy pas një debati që kishte nisur mes të dyve dhe më pas agravoi në dhunë. Meçja, me profesion marangoz, në fakt ishte dënuar edhe më parë për keqtrajtim dhe dhunë seksuale ndaj partneres së tij. Edhe fqinjët në Viale Trieste, gjatë hetimeve pas krimit, u thanë hetuesve se kishin dëgjuar disa herë grindjet mes çiftit.
Alexandra, e cila punonte si banakiere në një qendër tregtare në Bolzano, u zhduk mbrëmjen e 22 tetorit 2022. Vrasja u zbulua vetëm shumë orë më vonë, pasi Meçja ishte kthyer në Tiranë. Por qëndroi vetëm disa orë në kryeqytet vetëm sa njoftoi disa të afërm dhe avokatin e tij, të cilët e kishin bindur që të kthehej menjëherë në Itali dhe të dorëzohej.
Prokuroria kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për Meçen. Megjithatë rrëfimi i shqiptarit dhe bashkëpunimi me drejtësinë bënë gjykatën që ta linin si përfundim me 24 vite burg./ZËRI