ELBASAN- Gjykata ka dhënë masën për Tefik Tashi, personi i cili vrau kunatën me sëpatë. Ngjarje kjo e ndodhur në 2023, në fshatin Kusarth në Elbasan. Tefik Tashi u dënua me burgim të përjetshëm. 59-vjeçari u shpall fajtor për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Tashi vrau me sëpatë motrën e bashkëshortes së tij, Alma Qevani, 44 vjeç.
Njoftimi i Gjykatës:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka regjistruar procedimin penal nr.532 i vitit 2023 më të dhëna që bëjnë fjalë për veprën penale të “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” të parashikuar nga neni 79/c i K.Penal, me të pandehur Tefik Tashi me viktimë shtetasen Alma Qevani.
Ka rezultuar se më date 17.05.2023, rreth ores 13.00 ne Fshatin Kusarth, Elbasan, i pandehuri Tefik Tashi ka vrarë me sëpatë shtetasen Alma Qevani, të cilën e kishte motrën e bashkëshortes së tij.
Pas shqyrtimit gjyqësor, në datë 17.07.2024 nga Prokurori është kërkuar deklarimi fajtor dhe dënimi me burgim të përjetshëm.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan me vendimin dt.17.07.2024 ka vendosur deklarimin efajtor dhe dënimin e të pandehurit Tefik Tashi me burgim të përjetshëm.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi në 17 maj 2023 në fshatin Kusarth, ku ajo u godit për vdekje nga kunati, i cili jetonte në shtëpinë e familjarëve të bashkëshortes. Në dëshminë e tij të dhënë në kohën kur ndodhi ngjarja e rëndë, Tefik Tashi deklaroi se krimin e kreu me vetëdije të plotë, për shkak se kunata e tij nuk i kishte shtruar drekën.
“E vrava se s’më beri drekën. Vjehrra dhe kunata më ofenduan. Kunata e përdorte gruan time për punët e saja. Nuk i bënte punët vetë”, deklaroi në polici pas ngjarjes autori.
Më pas, ai nuk shfaqi asnjë shenjë pendese, madje u shpreh i bindur se kishte bërë gjënë e duhur. /ZËRI/