
DURRËS- Do të dalë sot përpara Gjykatës së Durrësit, Xhemal Loka, i cili dyshohet se ka shtyrë bashkëshorten e tij drejt vetëvrasjes. Vetë Loka i ka qëndruar versionit të tij, se bashkëshortja i ka dhënë fund jetës për shkak të bullizmit në rrjetet sociale, dhe se ai nuk e ka dhunuar.
Megjithatë sipas policisë së Durrësit, përpara se të shoqërohej për në komisariat, Xhemal Loka ka planifikuar që të arratisej, për shkak se i janë gjetur me vete një sasi parash, 2’800 Euro dhe 27’000 Lekë.
Duke marrë shkas nga e gjithë mënyra se si ndodhi ngjarja, dhe u tentua që të fshihej dhuna në familje, policia ka dyshime se Loka do të synonte që të largohej jashtë vendit.
Ndaj 45-vjeçarit rëndojnë dy akuza që janë ajo e shkaktimit të vetëvrasjes, si dhe armëmbajtja pa leje. Në banesën e Lokës u gjet një automatik, si dhe një sasi fishekësh. Do të jetë gjyqtari Paulin Çera ai që do të bëjë vlerësësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
ZËRI udhëtoi të shtunën drejt Sukthit e Fllakës, dy zonat që përmbledhin jetën e Bedrie Lokës, që pjesën më të madhe të kohës e kalonte në fabrikën ku punonte, e ndërsa sot, nuk po prehet e qetë as në banesën e fundit. Kjo për shkak se vëllezërit e saj kanë kërkuar zhvarrosjen e trupit, që sipas tyre ishte me shenja dhune edhe ditën e varrimit. Ata kanë pasur një konflikt me Xhemal Lokën, e për këtë shkak nuk pritën as ngushëllimet në banesën e çiftit. Ishin rrëfimet e 4 fëmijëve që zbuluan se nëna e tyre ishte vazhdimisht nën dhunën e të atit, i cili shumicën e kohës e kishte kaluar në emigracion.
/ZËRI