
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbërthyer bisedat e shkëmbyera mes Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të grupit kriminal që planifikonin vrasjen e Durim Bamit. Gazetarja Anila Hoxha shkruan për Top Channel se në një prej bisedave, Shullazi shprehet se Bami duhet eliminuar me patjetër dhe se koha nuk priste. Ai gjithashtu përmend edhe një tjetër person, Redjan Rrajën që ndodhet gjithashtu pas hekurave. Bisedat janë zhvilluar në vitin 2020.
“Kape **** r***, mos ja zgjat, se jam ktu dhe robt që janë jashtë me fol kuptohet dhe e kanë pak problem me ardh në Nikël dhe me mbaru punë. Ky legeni që është këtë në burg Rraja, (Redjan Rraja) thotë që Duri është më i fuqishmi aty, i bën reklame,”- i thotë Shullazi informatorit të tij.
Sot, Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për 14 të pandehur, që akuzohen si pjesë e një grupi të strukuruar kriminal të përfshirë në atentate mafioze në vend. Konkretisht në gjyq janë dërguar Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi, Naim Stafuka, Blerim Abazi, Besian Xhixha, Enver Diva, Robert Laçi, Leonard Duka, Drianto Bardhi, Gjergji Cukali, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Xhelal Rraja dhe Miri Bruli. Ata akuzohen për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale si tentativa për vrasjen e Durim dhe Valter Bamit, Ervis Martinajt, Erigers Mihasit, Preng Gjinit dhe ish-deputetit Arben Ndoka. SPAK ka mbyllur hetimet edhe për tentativën e vrasjes së Elvis Gacajt dhe Altin Gegës, si dhe Fatmir Hysenit dhe Armando Hysenit.