
DURRËS-Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e Pëllimb Metës në Durrës, i cili u vra nga vajza e tij, Hygerta me armë zjarri (Referuar dëshmisë së dhënë në Gjykatë). Hetuesit e ngjarjes kanë marrë në pyetje edhe bashkëshorten e viktimës, Blerina Meta.
Bashkëshortja e viktimës në dëshminë e saj ka deklaruar se Pëllumb Meta kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor. Sipas dëshmisë së saj të siguruar nga emisioni “Në Shënjestër”, thuhet se viktima ishte larguar dy herë nga shtëpia.
“Bashkëshorti im punon si roje nate në një parking te tregu i makinave nga ora 14.00 deri në orën 7.00 të ditës së nesërme. Zakonisht ai punon edhe gjatë ditës duke ndihmuar tregtarët në larjen e makinës, kundrejt pagesës. Ditën e shtunë më datë 10 shkurt, ai ka ardhur në banesë paradite dhe pasi ka ngrënë drekën ka lëvizur për në punë. Të nesërmen ai nuk ka ardhur në shtëpi, as ditën e hënë, ku nuk ka shkuar në punë. Kam folur me shokët e punës, por edhe ata më thanë që nuk ka ardhur në punë, dhe as nuk e hapte telefonin që dilte i fikur. Pëllumbi nuk kishte konflikte, as marrëdhënie me ndonjë femër tjetër. Gjatë ditës. Pëllumbi rrinte te lokalet pranë punës, te një furrë buke që kishte edhe lokal. Para disa vitesh ai ka shfaqur probleme të shëndetit mendor dhe është larguar pa vetëdije nga banesa dy herë. Ku njëherë ka shkuar në Krujë ku e ka gjetur policia dhe një rast tjetër ku ka dalë deri në Shetaj të Ishmit. Por që në këto raste telefonin e kishte hapur dhe nuk merrte asnjë mjekim për sëmundjen që shfaqte”, mësohet të ketë deklaruar në policia gruaja e Pëllumb Metës.
Pëllumb Meta u gjet i varrosur në kasollen e bagëtive pranë banesës së tij. Policia thotë se ai u vra nga Hysen Meta që bashkëpunoi me motrën Hygertën për ta kryer krimin. Më pas për të zhdukur trupin ka ndihmuar edhe vëllai tjetër, Amarildo. Të tre tashmë janë pas hekurave të qelisë në arrest me burg. Ndërkohë mamaja e tyre, Blerina po hetohet në gjendje të lirë./ZËRI