
KORÇË-Është zbardhur një vjedhje e ndodhur dy vite më parë në banesën e Artur Sejadarasit në Goskovë të Korçës. Policia e Korçës bën me dije se 24-vjeçari Samuel Tepexhik është arrestuar nga policia ndërsa 21-vjeçarit Andi Snaço i është komunikuar masa në qeli, pasi ndodhet aktualisht në burgun e Reçit për një tjetër vepër penale.
Nën hetim është vënë një 16-vjeçar, djali i pronarit të banesës, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me dy autorët, të cilët e kanë detyruar që të nxirrte 600 mijë lekë nga kasaforta e të atit për t’ua dhënë atyre.
Njoftimi i policisë Korçë:
Zbardhet vjedhja e ndodhur në banesën e shtetasit A. S., ku u vodhën 600.000 lekë të rinj, ngjarje e ndodhur më datë 04.12.2023, në fshatin Goskovë. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi 2-vjeçar, dokumentohet me prova ligjore autorësia e vjedhjes në banesën e shtetasit A. S.
Vihet në pranga 1 shtetas, ekzekutohet masa e sigurisë për autorin e dytë që aktualisht ndodhet në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), me masën e sigurisë "Arrest në burg", për një vepër tjetër penale, si dhe procedohet në gjendje të lirë një 16-vjeçar.
Si rezultat i një pune intensive hetimore, të kryer me metoda speciale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i vjedhjes së kasafortës në banesën e shtetasit A. S., në fshatin Goskovë, Korçë, ku dyshohet se është vjedhur një shumë parash prej 600.000 lekësh të rinj.
Në vijim të hetimeve rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë detyruar djalin e shtetasit A. S. që të gjente çelësin e kasafortës që ndodhej në banesën e tij dhe të merrte shumën e parave prej kasafortës.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë ekzekutimi i masës së sigurisë për shtetasin A. Ç., 21 vjeç, banues në Goskovë (i arrestuar për një vepër tjetër penale), dhe u arrestua shtetasi S. T., 24 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale "Vjedhja, me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim" dhe "Shtytja e të miturve në krim".
Gjithashtu, u caktua masa e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore", për 16-vjeçarin (nipin e pronarit të banesës), i dyshuar si bashkëpunëtor i autorëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.