SHKODËR- Këto janë dy armët që i janë gjetur autorit të masakrës së Shkodrës, ku mbetën të vdekur dy persona dhe dy të tjerë të plagosur. Bëhet fjalë për një pistoletë model çek dhe një automatik "Scorpion" model izraelit. Armët janë sekuestruar pas arrestimit të autorit, Ragip Gila, i cili mëngjesin e 8 shtatorit hyri në lokalin në Shkodër dhe qëlloi me breshëri në drejtim të tavolinës ku ishte ulur Erogen Brajoviç, i njohur si anëtar i fisit të Bajrave.
Autori i ngjarjes, Ragip Gila u arrestua gjatë një tentativë për t'i ikur policisë, ku u aksidentua në dalje të qytetit dhe më pas u largua me këmbë drejt lumit Kir. Por, pas një ndjekje prej disa minutash ai u kap nga Forcat Shqiponja, ndërsa gjatë arrestimit iu sekuestrua edhe arma e krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës, 8 shtator, ku 29-vjeçari Ragip Gila hapi zjarr në një lokal pranë Bashkisë së Shkodër, ku Armando Pali dhe Erogen Brajoviçku ishin duke pirë kafe. Por breshëria e plumbave kapi 5 persona, mes tyre kamarieren 25-vjeçare Meri Kaceri dhe një grua që ndodhej rastësisht në vendngjarje. I vdekur mbeti Armando Pali, punojës i IKMT-së dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç. Ndërsa Erogen Brajoviçku i cili ka qenë shënjestra e atentatit, mbeti i plagosur./ZËRI