
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e Artan Tafanit, krahut të djathtë të Laert Haxhisë dhe autorit të një sërë ngjarjesh kriminale që tronditën vendin dy vitet e fundit. Tafani tashmë i penduari i drejtësisë lëvizte me një dokument grek të falsifikuar për t’iu shmangur kapjes nga autoritetet.
Gjatë momentit të arrestimit atij iu gjet një pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, rreth 200 euro dhe 3 aparate celularë. Dëshmia e tij ka bërë të mundur zbardhjen e 6 vrasjeve të ndodhura në qytete të ndryshme të vendit.
Artan Tafani ishte shpallur në kërkim nga Policia pas grabitjes me armë të një Exhange në zonën e Astirit. Tafani mori nga atje një shumë prej 40 mijë eurosh ndërsa u zhduk pa gjurmë. Më pas Policia gjeti biçikletën e përdorur prej tij në një garazh, brenda së cilit ishte dhe një makinë e përdorur në një ngjarje kriminale.
Kjo përforcoi hetimet dhe vuri Policinë në ndjekje të Tafanit. Ai u arrestua nga Forcat Operacionale disa ditë më parë në një hotel në autostradën Lushnjë-Fier. Por kapja e tij u mbajt “top sekret” nga Policia për shkak të hetimeve.
Si u zbardhën 6 vrasjet e bujshme?
Mbrëmjen e së mërkurës, deri paraditen e sotme, Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Never Forget”. Janë zbardhur në total 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 6 vrasje. 6 vrasjet e bujshme janë ato të: Çajup Selimi, Alban Semaku, Albi Bashaliu, Lulzim Qorri, Fridmand Xhaferraj, Dikens Halili. Në total janë lëshuar 15 urdhra ndalimi, nga të cilat janë ekzekutuar 12 ndërsa 3 persona janë shpallur në kërkim. Laert Haxhiu sipas Policisë së Shtetit është organizator dhe porositës i dy vrasjeve në Athinë./Zëri.ai