Aktualitet

Zbulohet për herë të parë akt-marrëveshja e Nuredin Dumanit me SPAK!

Pasi ra në pritë, ai u ndje i tradhtuar dhe i pasigurt për jetën. Kjo e bëri të marrë vendimin për të shkatërruar grupet që dikur u shërbeu. Për tradhtinë dhe futjen në kurth, ai ka folur në seancat gjyqësore maratonë.

F.m
Zbulohet për herë të parë akt-marrëveshja e Nuredin
Nuredin Dumani

TIRANË- Nuredin Dumani është në pranga që në vitin 2022, falë një kurthi të ngritur në Bradashesh dhe prej katër vitesh vijon të flasë e të fudnpsë grupe të shumta kriminale. Avokati i tij, Artan Simoni, rrëfeu për Inside Story se pas transferimit në spitalin e burgut, në prani të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe ish-drejtorit të Krimeve, ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim, duke premtuar zbardhjen e krimeve, dosjet e të cilave kishin zënë pluhur prej vitesh.

“Nuk përbën asnjë sekret të themi se ka pasur një informacion të dyfishtë, i cili ka ecur në rrugë të ndryshme, si drejt atyre që kanë kërkuar eliminimin e tij si drejt autoriteteve ligjzbatuese. Në këto kushte ka ardhur në dijeni të faktit që aty duhet ndalur gjithçka dhe ka kërkuar bashkëpunimin e drejtësisë. Dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë shërben në dënueshmërinë e personave që gjykohen, por nuk mund të shërbejë si prova e vetme për të dënuar të hetuarit që gjykohen në këtë proces penal. Patjetër dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë duhet të shoqërohet me prova të tjera materiale, apo me veprime të tjera hetimore të cilat përputhen,”- u shpreh Artan Simoni, avokati i Nuredin Dumanit.

Më 18 maj 2022, SPAK i ofroi Dumanit statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Pasi ra në pritë, ai u ndje i tradhtuar dhe i pasigurt për jetën. Kjo e bëri të marrë vendimin për të shkatërruar grupet që dikur u shërbeu. Për tradhtinë dhe futjen në kurth, ai ka folur në seancat gjyqësore maratonë.

“S’kam pas atë ditë informacion se ku ndodhej Talo Çela. Kam komunikuar vazhdimisht me Henrikun. S’kemi qenë për Talo Çelën por për Oti Kilën. Isha me X5 të vjedhur. Morëm dy kallashë me silenciatorë, një pistoletë Zastava. Te kthesa e Cërrikut, pashë disa makina, njëri më bëri foto. U tërhoqa pas, nuk e vura re makinën tjetër që vinte. Në një moment shoh që më gjuajnë me armë. Pashë 3 veta, dy gjuanin dhe shoferin. I dhashë gaz makinës, kur gjuajtën për së dyti më kapën plumbat”.

Dumani, tregoi se ka marrë pjesë në 17 ngjarje kriminale. Vrasje, tentativa vrasje, grabitje etj. Ai ka marrë përsipër të tregojë edhe për persona të tjerë që e ‘pajtonin’, si vrasës me pagesë.

“Personi nën hetim Nuredin Dumani, merr përsipër të bashkëpunojë me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke dëshmuar dhe dhënë informacion të ploté e pa asnjë rezervë ose kusht për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare, për zbulimin, hetimin, gjykimin e të gjithë krimeve të rënda të kryera nga ai dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij”.

Dumani ka pranuar gjithashtu të identifikojë pasuritë me origjinë kriminale që janë në posedim të tij dhe të personave të lidhur. Ai duhet të dëshmojë në çdo rast që e kërkon prokuroria dhe gjykata. Nëse nuk është i sinqertë në dëshmitë e tij, në pikën 5 të akt marrëveshjes thuhet se mund të humbasë edhe statusin.

“Kjo Marrëveshje bashkëpunimi mund të revokohet nga pala e akuzës, kur vërtetohet se bashkëpunëtori i drejtësisë bën deklarime të rreme, mban rezerva lidhur me faktet, ngjarjet dhe rrethanat që provohet se ka dijeni, ose kur ai me dashje shkel kushtet e përcaktuara në këtë akt-marrëveshje".

“Ndryshe nga bashkëpunëtorët e tjerë të drejtësisë, në deklarimet e tij janë konstatuar elementë të cilët në bazë të një dëshmie ka kërkuar që të nxirren prova nga elementë të ndryshëm”.

Pas dëshmisë së Dumanit, SPAK lëshoi 32 urdhra arresti, që përfshinin disa prej individëve më të kërkuar të krimit të organizuar shqiptar. Dosja që tashmë është në fazë gjykimi përfshin 20 të pandehur. Ky është një proces gjyqësor që po konsiderohet si një nga më të rëndësishmit dhe më voluminozët për SPAK-un, ngjashëm me maksi-proceset e dikurshme të mafias italiane.

“Çështja në të cilën Nuredin Dumani që ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë një pjesë e saj është gjykim dhe po vazhdon gjykimin ndërsa një pjesë tjetër e saj është në proces hetimor, që ne nuk mund të flasim sot”, u shpreh Vladimir Mara, prokuror i SPAK.

Poll

MOS HUMB