TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani ka konfirmuar se SPAK ka ndërtuar një plan për hetimin e krimeve zgjedhore dhe se do të publikohet pas disa ditësh. Kreu i SPAK u shpreh se do të ngrihet një grup i posaçëm që do të hetojë gjithashtu financat e partive politike dhe presionet ndaj punonjësve gjatë kësaj periudhe fushate.
Kodi Zgjedhor parashikon deri në 7 vite burg për ata që manipulojnë zgjedhjet. Partitë politike kanë nisur fushatën zgjedhore dhe po zhvillojnë takime me diasporën, e cila do të votojë për herë të parë këtë vit. Sipas Nenit 123, çdo person që vjen në dijeni të shkeljeve administrative ose penale në fushën e zgjedhjeve ka të drejtë të informojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. /ZËRI