Aktualitet

Zjarri në Dhërmi/ Policia e konfirmon: U shkaktua nga fishekzjarret, në pranga 28-vjeçari (EMRI)

Policia bën me dije se është arrestuar Leonard Xhameta, 28 vjeç, i cili ka qenë pjesëmarrës në eventin e zhvilluar në kompleksin "Zoe Hora”.

F.I
Zjarri në Dhërmi/ Policia e konfirmon: U shkaktua nga fishekzjarret,
pamje nga ngjarja

DHËRMI-Policia e Dhërmiut në një përgjigje për ZËRI-n, ka reaguar me anë të një njoftimi zyrtar, në lidhje me zjarrin i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar me shkurre dhe bimësi të ndryshme. Policia bën me dije se është arrestuar Leonard Xhameta, 28 vjeç, i cili ka qenë pjesëmarrës në eventin e zhvilluar në kompleksin "Zoe Hora”, dhe ka ndezur fishekzjarre që shkaktuan zjarrin. 

NJOFTIMI:

Ndezi fishekzjarre gjatë një eventi, duke shkaktuar zjarr që dogji një hapësirë të pyllëzuar me shkurre dhe bimësi të ndryshme, arrestohet 28-vjeçari. Gjatë orëve të para të ditës së sotme, në fshatin Dhërmi, u mor njoftim për një vatër zjarri që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar me shkurre dhe bimësi të ndryshme. Si rezultat i hetimeve dhe falë bashkëpunimit me banorët dhe pushuesit në zonën bregdetare, Stacioni i Policisë Dhërmi arrestoi autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënie, shtetasin L. Xh., 28 vjeç. 28-vjeçari dyshohet se, gjatë një eventi në një subjekt privat në fshatin Dhërmi, ndezi fishekzjarre që shkaktuan zjarrin, duke dëmtuar një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe bimësi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrim nga pakujdesia i pyjeve dhe mjedisit pyjor”. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ju bën thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes maksimal për të mbrojtur mjedisin dhe pyjet tona.

Pavarësisht se fishekzjarret prej kohësh janë të ndaluara në Shqipëri, festimet në mesnatë janë kthyer në një trend të zakonshëm, duke cënuar jo vetëm qetësinë e qytetarëve, por edhe situata më kritike, siç ishte ajo e mbrëmjes së djeshme në Dhërmi, në kulmin e sezonit turistik./ZËRI

Poll

MOS HUMB