
ELBASAN- Pas disa orësh, zjarri në kodrat e Krastës është vendosur nën kontroll. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, pas një pune të pandërprerë të forcave zjarrfikëse dhe punonjësve të MM-së, është arritur të vihet nën kontroll zjarri. Aktualisht, forcat zjarrfikëse dhe strukturat e përfshira në operacion vazhdojnë punën intensive për izolimin e plotë dhe shuarjen totale të vatrave të mbetura.
Po ashtu, vijon monitorimi i terrenit për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm për shkak të erës.
"Në këtë aksion u përfshinë 12 efektivë të FA dhe një mjet zjarrfikës nga Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale Mengël, Elbasan.
Strukturat e mbrojtjes civile, në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe në koordinim të plotë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë në gatishmëri në çdo moment në mbrojtje të komunitetit e të pasurive natyrore,"-bën me dije Ministria.
Ndërkohë që flakët janë vendosur nën kontroll, mbetet i panjohur shkaku i ndezjes së kësaj vatre zjarri. Për shkak se ka dyshime se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme, ngjarja po hetohet edhe nga Policia e Elbasanit./ZËRI