PUKË- Pas zjarrit në zonën e njohur si Fushë-Lajë, në Malin e Tërbunit, në qytetin e Pukës, ZËRI zhvilloi një bisedë telefonike me kryebashkiakun e këtij qyteti, Rrok Dodaj.
Lidhur me vështirësinë që po hasin forcat zjarrëfikëse për të hyrë në zonë, për shkak të mungesës së rrugës, ZËRI pyeti z.Dodaj se si po veprohet.
Përmes bisedës telefonike, ai sqaroi se që prej momentit që u identifikua vatra, të gjitha strukturat e pushtetit vendor u vendosën në lëvizje. Sa i përket vështirësisë që po hasin forcat zjarrfikëse në terren, kryebashkiaku i Pukës sqaroi se zona nuk ka rrugë, duke e bërë të pamundur futjen e automjeteve zjarrfikëse, ndërsa u shpreh se forcat po vijojnë punën me mjete rrethanore.
Po ashtu, kryebashkiaku Dodaj u shpreh se forcat zjarrfikëse, focat e policisë dhe banorët e zonës janë angazhuar në terren, ndërsa në ndihmë kanë ardhur edhe forcat zjarrëfikëse të qytetit të Fushë-Arrëzit. Gjthashtu, Dodaj shpjegoi se vatra nuk paraqet rrezik të përhapet drejt zonave të banuara, pasi ndodhet shumë larg shtëpive.
“Zjarri ka filluar që në mesditë. Menjëherë pas identifikimit të vatrës, të gjitha strukturat lokale u angazhuan, duke mbërritur menjëherë në terren. Po është e vëretë, mjetet zjarrfikëse nuk janë futur dot në zonë, pasi aty mungon infrastuktura, por janë në terren dhe po punojnë se bashku me policinë dhe banorët e zonës me mjete rrethanore. Në ndihmë të forcave të qytetit kanë ardhur edhe forcat zjarrfikëse të Fushë-Arrëzit. Sa i përket përhapjes së flakëve, zjarri nuk rrezikon zonat e banuara, pasi shtëpitë ndodhen larg vatrës së zjarrit.”- u shpreh Doda për ZËRI-n./ZËRI