
FIER- 16 persona morën lëndime dhe pësuan asfiksi si pasojë e zjarrit që ra dje në shtëpinë e të moshuarve në Fier, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë dhe e zjarrfikësve për të bërë të mundur shpëtimin e dyre, duke i nxjerrë dhe nga dritaret.
Tashmë shumica e tyre ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, pasi kanë marrë trajtim mjekësor në ambientet e spitalit të Fierit, ku raportohen se vetëm në 2 apo 3 raste janë vizituar nga familjarët e tyre. Pjesa tjetër janë lënë sërish në përkujdes të institucionit.
Në dëshmitë e tyre të moshuarit shprehen falenderues ndaj stafit të spitalit dhe të shtëpisë ku qëndronin, ndërkohë që janë në pritje për t’u rikthyer në strehën e tyre, e cila po pastrohet nga dëmet që shkaktoi zjarri.
Mjeku i spitalit të Fierit, Blendi Dhespollari, tha se fillimisht në spital janë sjellë 16 banorë të shtëpisë së moshuarve, të cilët janë paraqitur me parametra jetike normale, pa probleme djegie, pa gjendje lipotimie, koshientë, por vetëm të frikësuar.
2 prej tyre janë futur në terapi si rrjedhojë e diagnozave kronike nga të cilat vuanin, astma bronkiale dhe krizë hipertensive. Një e moshuar, tregoi momentet e panikut kur ra zjarri.
“U tremba. Kishte shumë tym, s’do dilja dot. Dua që të ikim nga këtu, të na rregullohet shtëpia jonë.”, tha një e moshuar. Ndërkohë, një tjetër i moshuar, nga shtrati i spitalit tregoi se si kishte humbur ndjenjat në korridorin e azilit pasi ishte asfiksuar nga tymi.
Bashkia e Fierit është shprehur se godina do të jetë e gatshme që të presë sërish të moshuarit brenda 2 ose 3 ditëve të ardhshme, pasi dëmet nuk kanë qenë shumë të mëdha.
/ZËRI