
TIRANË- Zëri.ai ka siguruar dosjen e plotë hetimore të SPAK, në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ku Jamarbër Malltezi ka pasur një rol kryesor në të gjithë kryerjen e procedurave, ku kjo sipërfaqe toke është hequr nga lista e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes me një vendim të marrë nga ministri i kohës Fatmir Mediu, menjëherë pas ardhjes në pushtet të Sali Berishës. Në dosjen 200 faqe të Prokurorisë së Posaçme renditen të gjitha hapat që janë marrë drejt privatizimit, dhe roli e lidhja që ka pasur Malltezi me familjet që kanë qenë ish-pronare të tokës, te roli i Berishës si kryeministër.
Gjithçka nis me një shkresë të Shtatorit 2005 (1 muaj nga marrja e detyrës), ku ministria që drejtohej nga Mediu i deklaronte Ministrisë së Ekonomisë, se ish-kompleksi Partizani nuk duhej të bënte më pjesë në listën e pronave të Forcave të Armatosura dhe se mund ti hapej rruga procedurave të tjera. Menjëherë pas kësaj ka nisur dhe interesimi i ish-pronarëve, të cilët kanë kërkuar dhe janë informuar nga ministrja e mbrojtjes, për heqjen e këtij trualli nga zonat e mbrojtura.
Në dosje thuhet se në Janar 2006: para noteres Ruko Sako, trashëgimtarët e Mahmut dhe Xhemal Begejas, konkretisht Haki Begeja Nimete Bekteshi, Nysret Kaçurri, Kreshnik Kaçurri, Ednand Begeja, Gëzim Begeja, Merita Begeja, Sanije Velo, etj, i japin të drejtë dhe kompetencë të plotë shtetasit Jamarbër Malltezi që ndër të tjera të lidhet me firma ndërtuese, të pëcaktojë përqindjen e ndërtimit, të nënshkruaj kontratën e parë që vë në dispozicion të firmës ndërtuese truallin e tyre. Të gjthë ata deklarojnë se vënë në dispiziocion të Malltezit një capital që fillon nga 3-5% të pasurisë së tyre të paluajtshme, për krijimin e një fondi rezervë.
I pyetur nga SPAK, se pse i dhanë prokurën Malltezit, një prej pronarëve, Gëzim Begeja është shprehur se shumica e përfituesve kanë qënë në moshë të thyer, dhe për këtë shkak kanë mandatuar Malltezin në kryerjen e procedurave.
Ai ka deklaruar se është fis me ta, dhe se gjyshja e Malltezit rridhte pikërisht nga kjo familje. Shumë prej ish-pronarëve sipas Gëzim Begesë jetonin jashtë vendit, ndërkohë që një tjetër sipas tij ishte me të meta mendore. Për 3-5 % që i kanë dhënë paraprakisht Malltezit, Begeja është shprehur se ajo ishte e nevojshme për shpenzimet që ai do të kryente sa i takon dokumentacionit.
Një tjetër përfitues, që është Xhimi Begeja, ka deklaruar përpara SPAK: “Ai ishte më i riu dhe më i shkolluari”.
Disa prej personave përfitues, familjarë të ish-pronarëve kanë deklaruar në SPAK se nuk ishin marrë fare me dokumentacionin, duke lënë të kuptohet se për këtë ishte kujdesur vetë Malltezi, i cili nisi nga puna për ndërtimin e 17 kullave në bashkëpunim dhe me një prej përfituesve të tjerë Fatmir Bektashi.
Në dosjen e SPAK fillojnë që të zbulohen lidhjet e para të shtetit, dhe ndikimit të qeverisë në privatizimin e këtyre pronave. Një prej përfituesve është shtetasi Ilir Kadiu, i cili ka qenë i punësuar pranë Departamjentit Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave, e madje është ngarkyuar për kryerjen e një kontrolli në komandën mbështetëse që kishte të bënte pikërisht me pronat e familjeve ku dhe vetë bënte pjesë.
Në Maj të vitit 2006 është lidhur kontrata mes ish-pronarëve të truallit, të përfaqësuar nga Malltezi, dhe shoqërisë që do të bënte ndërtimin, shoqëria Kontakt, e përfaqësuar nga Bektashi. Sipërfaqa që është vënë në dispozicion për ndërtimin është 6345 metra katrorë, ndërkohë që prona ishte kthyer pronarëve me destinacionin ndërtimin e ambienteve sportive dhe jo njësive të banimi.
Është pikërisht kompania Kontakt ajo që merr përsipër që të ndryshojë destinacionin e kësaj zone, brenda harkut kohor të 3 muajve nga nënshkrimi i kontratës. Ish-pronarët thuhet në kontratë se do të merrnin 22% të të gjithë sipërfaqes së ndërtimit, përfshirë këtu apartmente, njësi biznesi, apo poste parkimi.
Në 21 Nëntor 2006, në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit, kryetari i saj Sali Berisha ka firmosur ndryshimin e destinacionit për zonën në rrugën Frosina Plaku, nga zonë sportive në zonë banimi, edhe pse në shkelje të ligjit sipas SPAK.
Por nuk mbaron me kaq!
Pasi Berisha ka ndryshuar ligjin për kthimin dhe kompesimin e pronave në favor të rastit të ish-dhëndrit të tij. Sipas SPAK një sërë ndryshimesh janë kryer në ligj që ti shërbenin Malltezit dhe familjeve të tjera përfituese. Po ashtu sipas SPAK nën qeverisjen e Verishës është rritur roli që ka Këshilli i Ministrave në kthimin dhe kompesimin e pronave.
Berisha ka emëruar në krye të Agjensisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave shtetasen Justina Boriçi, në Gusht të 2006-tës, e cila pranon se ka qenë anëtarë e Partisë Demokratike, dhe më herët ka mbajtur disa pozicione në Ministrinë e Bujqësisë.
Ajo ka deklaruar: Në gusht 2006, më kërkoi Sali Berisha. Më tha ministri i Bujqësisë Jemin Gjana se Berisha donte të më takonte. Më erdhi pak e habitshme. E kam takuar Berishën në zyrën e tij, dhe ai më bëri me dije se më kishte emëruar drejtoreshë në Agjensinë e Kthimit dhe Kompesimit të pronave.
Pas emërimit të Boriçit, sipas SPAK, një tjetër emër ka shkuar me ‘porosi’ nga lart për t’u marrë me kthimin e pronave te familja Begeja, është shtetasja Dhurata Hoxha, si dhe specialist Altin Ceni.
Këtu thotë SPAK ka nisur nga puna dhe për kthimin e pronave te familja Begeja, pasi Berisha kishte ndryshuar ligjin dhe kishte vënë persona të besuar në poste kyçe.
Kthimi përfundimtar i pronave te familja Begeja është bërë në 21 Mars të vitit 2007, dhe ka marrë formën e prerë në 7 Maj të së njëjtit vit. Po e njëjta procedurë është ndjekur dhe për pronat e familjes Saliaga, një tjetër prej përfituesve në proces.
Një tjetër dëshmi interesante në dosje është edhe ajo e Isa Tares, ish-drejtorit të Klubit shumësportësh Partizani nga viti 1995-2005, për të cilin SPAK thekson se u pushua nga puna kur në pushtet erdhi Berisha. Po ashtu në dosje sqarohet se pronarët e tokës ishin dëmshpërblyer dhe më parë nga italianët. Tare ka deklaruar se një prej ish-pronarëve, emrin e të cilit nuk e mban mend, i ka premtuar një hyrje në pallatet që do të ndërtoheshin, në këmbim që ai të shprehte dakordësinë për projektin.
“Më datë 21.12.2022 është pyetur shtetasi Isa Tare i cili ka deklaruar se ka qenë drejtori i Klubit Shumesportesh Partizani nga viti 1995-2005, rreth muajve prill, maj. Gjithashtu ka qenë edhe inspektor për sportet bazë dhe sportist i Klubit Sportiv Partizani nga 1958-2005. Gjatë kohës që ka qenë drejtor është paguar nga Ministria e Mbrojtjes, kanë pasur 55 punonjës. Ekipi i futbollit u lidh me italianët dhe kaloi në varësi të italianëve. Besoj se kjo varësi u krijua nga vitit 1989. Pastaj Klubi i Futbollit u bë shoqëri aksionere me president Bert Xhani.
Pra financimi u hoq nga ministria e mbrojtjes dhe e bënte privatisht financimin Bert Xhani. Kur ka ardhur në pushtet shtetasi Sali Berisha në vitin 2005, Isain e kanë hequr nga puna, duke e shkarkuar, pas asnjë motivim si dhe dy çunat e tij, të quajtur Auron Tare drejtori i parkut kombëtar të Butrinit dhe Agron Tare që ishte kryetari i degës së pakicave kombëtare në Ministrinë e Jashtme. … disa vite para se ta pushonin nga puna kanë kaluar te Ministria e Kulturës, madje i kujtohet se e ka propozuar ai.
I kujtohet që e ka thirrur një shefe e madhe në Kryeministri, e cila i sugjeroi që të bëheshin shoqëri aksionere. Isai nuk pranoi se nuk kishim ku t’i gjenin fondet pasi kishin rreth 300-400 sportista dhe 60 veta me rrogë mujore që paguheshin muaj për muaj nga ministria e Mbrojtjes, buxheti i shtetit.
Pak më përpara i çuan në varësi të Këshillit të Rrethit, tek ‘21 Dhjetori’ ka qenë, por më vonë Isai kërkoi që të shkonin tek Ministria e Kulturës. Mesa i kujtohet Bert Xhani kur mori klubin e futbollit Partizani, ka marrë vetëm hotelin rreth pesë kate me përkrahje të Ministrisë së Mbrojtjes kurse klub shumësportesh kishte palestrat, dy kate. I kujtohet që tek klubi shumësportesh ka qenë edhe një palestër e madhe e lojërave volejboll dhe basketboll dhe po në këtë godinë ishte palestër gjimnastike.
Gjithashtu kanë qenë dhomat e zhveshjes që në 1997 hyjnë njerëz që jetonin aty. Në dijeninë e tij, klubi shumësportesh bashkë me klubin e futbollit, pra gjithë territori aktualisht është zënë me ndërtime pallatesh. Në dijeninë e tij, ish pronarëve të cilëve u është dhënë kjo tokë, janë shpërblyer nga italianët shumë vite më parë dhe dokumentet janë në Firence. Në vitin 2005 kur e hoqën Isain nga puna e ka zëvendësuar Afrim Tole…
Në kohën që ishte Isai drejtor, po bëheshin përpjekje që klubi shumësportesh Partizani t’i dorëzohej ish pronarëve dhe Isait i është afruar njëri nga këta ish pronarë, emri i i cilit nuk po i kujtohet që i ka ofruar t’i jepte një hyrje në ndërtesat që do të bëheshin në atë territor, por me kusht që Isai të shprehte dakordësinë e tij që ta merrnin atë pronë ish-pronarët. Pjesë e klubit shumësportesh Partizani ka qenë edhe pishina me vendndodhje në Laprakë, saktësisht tek parku i veturave i Ministrisë së Mbrojtjes.
Orkestra frymore ka qenë ngjitur me pishinën, në Laprakë madje ka qenë edhe shkolla e muzikës për ushtarakët. Por ndërtesa e orkestrës frymore dhe pishina u prishën me kalimin e kohës dhe prandaj orkestra frymore gjatë kohës që Isai ishte drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, është sjellë tek ky i fundit. Konkretisht është ndërtuar një godinë kastile për orkestrën pas palestrës së lojërave me dorë, tek Klubi shumësportesh Partizani, pra afër klubit të futbollit Partizani në një godinë më vete”, thuhet në dosje.
Pjesë e dosjes, siguruar nga Zëri.ai është edhe dëshmia e Afrim Toles, drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, në vitet 2006-2008.
“Më datë 22.12.2022 është pyetur shtetasi Afrim Tole, i cili ka deklaruar se ka qenë drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, në vitet 2006-2008…. Afrimi e ka gjetur Klubin shumësportesh kur e ka marrë jo në gjendje të mirë. Në kohën që ka qenë drejtor është rregulluar palestra e mundjes, duke u vendosur tapeti. Tapeti është financuar nga Met Malaj, i cili ka qenë president i mundjes. Investimi është bërë privatisht. Palestra e volejbollit është bërë me miqtë e Afrimit. Kanë pasur arritje edhe në fushën sportive. Për dy vjet Afrimi ka bërë shumë ndërkohë që nga paraardhësi i tij nuk ishin bërë këto gjëra. Në klubin shumësportesh sa kohë ka qenë Afrimi ka qenë një godinë kryesore ku ka qenë shtanga, mundja, karate, zyrat e punonjësve, radio amatorizëm. Godinë tjetër ku ka qenë basketboll, volejboll, gjimnastikë, ishin të lidhura bashkë mesa i kujtohet. Ka qenë edhe një magazinë e plaçkave. Gjithashtu ka qenë edhe një pishinë në Laprakë në varësi të klubit Partizani.
…Klubi i futbollit mesa i kujtohet ka pasur një godinë, katër katëshe ku kanë qenë dhomat e zhveshjes. Nuk i kujtohet të ketë pasur ndonjë godinë tjetër. Kurse një stacion meteorologjik, nuk i kujtohet nëse ka qenë apo jo pjesë e klubit shumësportesh.
Pra nga sa më sipër cituar, pavarësisht pretendimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, rezulton e provuar se shoqëria Partizani sh.a. ka vijuar të jetë e regjistruar dhe të ushtrojë aktivitetin pikërisht në ambientet e Klubit të Futbollit Partizani ndërkohë që ky objekt ka qenë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe kjo shoqëri madje ka marrë edhe miratimin e Federatës. Ndërkohë, Klubi Shumësportesh Partizani, ka vijuar të qëndrojë në varësinë e Ministrisë së Kulturës. Kërkesat për privatizim të paraqitura nga shoqëria Partizani”, thuhet më tej në dosjen e SPAK.
/Zëri.ai