SHKUP- Studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare do të mblidhen këtë të hënë, 18 maj, në Shkup për të protestuar kundër mosrealizimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Protesta pritet të nisënë orën 16:30, te Ura e Gurit. Protestuesit do të nisen nga Ura e Gurit për tu vendosur poshtë zyrave të ministrisë së drejtësisë, në tubimin e tyre në dytë, në mbrojtje të Gjuhës Shqipe.
Për organizimin, studentët janë takuar me njëri tjetrin në Kumanovë, Tetovë, Strugë dhe Shkup. Në lajmërimin për protestën, studentët shqiptarë e kanë quajtur aksion një amanet të të parëve të tyre.
Tubimi do të mbahet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një”. “Në mbrojtje të gjuhës sonë, të gjithë bashkë para Urës së Gurit”, thuhet në thirrjen e studentëve.
Protesta organizohet si reagim ndaj mbajtjes së provimit vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse gjuha shqipe gëzon status zyrtar në vend.
Gjithçka nisi nga kërkesa e studentëve të jurisprudencës, për ta dhënë provimin në gjuhën e tyre amëtare, një kerkesë që edhe pas dy vitesh nuk ka marrë zgjidhje.
E drejta e tyre është një e drejtë kushtetuese, që rrjedh që prej marrëveshjes së Ohrit, por për të cilën politika nuk po kujdeset.
Protesta e parë e studentëve u mbajt në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut më 6 prill./ZËRI