KOSOVË- Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën. I mandatuari për kryeministër i Kosovës, Glauk Konjufca ka dështuar të zgjidhet kryeministër i Kosovës meqë nuk mori 61 votat e nevojshme në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Për votuan 56, kundër 53 dhe katër abstenime.
Glauk Konjufca është figura e dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, pas Albin Kurtit, që provon të formojë Qeverinë. Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor. Më 26 tetor, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dështoi të siguronte votat e nevojshme për formimin e qeverisë. LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Pas dështimit për formimin e Qeverisë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme Parlamentare. Tashmë mbetet në dorën e presidentes Vjosa Osmani që të shpallë dekretin për shpërbërjen e Kuvendit dhe të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme./ZËRI