SHBA-Presidenti Donald Trump po përjeton humbjen e dytë radhazi të Çmimit Nobel. Gjatë një tubimi në Syracuse, New York, Trump pretendoi sërish se duhej të kishte fituar çmimin “Nobel” për Paqen.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga unë si president, duhej ta kishin marrë çmimin “Nobel” për Paqen, por nuk e morën. Pavarësisht gjithë kësaj dhe këtyre arritjeve të jashtëzakonshme, çmimi “Nobel” iu dha sot një personi me bindje liberale, që punon në Kombet e Bashkuara dhe për të cilin askush nuk ka dëgjuar ndonjëherë. Unë nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë person, por, sidoqoftë, urime.”, deklaroi Trump.
Trump akuzoi Norvegjinë se kishte marrë një vendim të turpshëm dhe të sikletshëm, duke mos ia dhënë çmimin. Ai pretendoi se çmimi ishte diskredituar nga një grup i vogël ideologësh radikalë, që janë kundër demokracisë dhe, në të vërtetë, armiq të qytetërimit.
“Ne nuk do ta harrojmë Norvegjinë. Nuk na e dhatë këtë çmim, pavarësisht se kemi arritjet më të mëdha në histori”, deklaroi ai.
Gjyqtarja jugafrikane Navanethem "Navi" Pillay, 85 vjeç, u shpallu fituese e Çmimit Nobel për Paqe "për përpjekjet e saj për të promovuar paqen dhe të drejtën ndërkombëtare. Pillay është një prej figurave të njohura të drejtësisë ndërkombëtare dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke mbajtur edhe poste të rëndësishme në institucionet ndërkombëtare.
Navi Pillay ishte kryetare e Komisionit Hetimor të Kombeve të Bashkuara mbi Territorin e Pushtuar Palestinez, i cili arriti në përfundimin vitin e kaluar se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), vetëm pak orë pas dhënies së çmimit Navi Pillay, e cila ka shërbyer si gjyqtare në këtë institucion nga viti 2003 deri në vitin 2008. Sanksionet e reja shkojnë përtej masave të mëparshme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të veçantë dhe mund të prekin edhe kompanitë që ofrojnë shërbime për gjykatën./ZËRI
