
BRAZIL- Rasti i vrasjes së Amanda Caroline de Almeida po shkakton tronditje dhe tmerr në Brazil. Autori i vrasjes së 31-vjeçares është bashkëshorti i saj, i cili ka rrëfyer se kufomën ia ka hedhur në një lumë me piranja. Siç raportohet nga Daily Mail, Carlos Eduardo de Sousa Ribeiro u arrestua javën e kaluar pasi u kap nga kamerat e sigurisë duke futur trupin e pajetë të 31-vjeçares Amanda Caroline de Almeida në bagazhin e një makine, bashkë me vëllain e tij. Trupi ishte mbështjellë me një çarçaf.
Sipas mediave, ai e vrau sepse ajo refuzoi që të kthehej me të. Nga të dhënat që janë bërë me dije deri më tani, vrasja ndodhi më 19 maj, kur Ribeiro sulmoi ish-gruan e tij sepse ajo refuzoi që të kthehej sërish me të. Çifti ishte ndarë dy muaj më parë, por autori i krimit nuk po e pranonte refuzimin. Miqtë e gruas raportuan se 35-vjeçari e kishte rrahur brutalisht vetëm gjashtë javë para krimit, sepse ajo e kishte lënë. Amanda nuk e kishte denoncuar, me pretendimin se po përpiqej që të mbronte 3 fëmijët e tyre.
Por ai e takoi sërish dhe e vrau. Pasi e mbyti, autori e çoi trupin në lumin Tietê, ku edhe e hodhi. Ky lumë është i famshëm për ujërat e tij të ndotura dhe praninë e piranjave. Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve, trupi i gruas nuk është gjetur ende sot e kësaj dite.
Ribeiro u arrestua më 21 maj, ndërsa vëllai i tij 38-vjeçar - emri i të cilit nuk është bërë i ditur - u arrestua një ditë më vonë. Të dy akuzohen për vrasje dhe fshehje të një trupi. Tre fëmijët e Amandës, 17, 7 dhe 5 vjeç, tani janë nën kujdesin e të afërmve të saj. Krimi i tmerrshëm nxjerr në pah problemin shumëvjeçar të dhunës në familje ndaj grave në Brazil. Pavarësisht ndërhyrjeve legjislative, fenomeni i abuzimit dhe vrasjeve mbetet në nivele alarmante./ZËRI