
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se orët e para të 22 shtatorit është hedhur granatë dore në oborrin e një serbi në fshatin Ranilluk. Në raportin 24-orësh të Policisë, të publikuar më 23 shtator, është thënë se si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në shtëpinë e viktimës.
Policia ka thënë se nuk ka të lënduar, por që rasti është duke u hetuar. Ranilluku gjendet afër qytetit të Gjilanit.
Për sulm me granatë dore është raportuar edhe më 21 shtator në Mitrovicë të Veriut. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë sulmi në veri ka qenë shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte.
Tre serbët janë arrestuar më 20 shtator në veri.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – i kanë cilësuar arrestimet si “të motivuara politikisht”.
Lidhur me sulmet me granata, më 22 shtator ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Deeply dismayed to read reports of explosive devices used in multiple parts of Kosovo. We condemn these acts of violence and call on the authorities to conduct a thorough investigation and bring the perpetrators to justice.
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) September 22, 2023
“Thellësisht i tronditur me raportimet për përdorim të pajisjeve shpërthyese në disa pjesë të Kosovës. I dënojmë këto akte të dhunës dhe u bëjmë thirrje autoriteteve që të kryejnë hetime të hollësishme dhe t’i sjellin kryesit para drejtësisë”, ka thënë Hovenier në rrjetin X – të njohur më parë si Twitter.
Për sulmin në veri ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, duke thënë se po e vëzhgon situatën me shumë kujdes.
Tensionet në veri janë të larta prej muajit maj, kur banorët e komunave veriore me shumicë serbe nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, ani pse e kanë bojkotuar procesin zgjedhor. Situate, me raste, është përshkallëzuar në dhunë./REL