SPANJË- Ish-kreu i Partisë Popullore të Katalonjës, Alejo Vidal-Quadras i cili ka mbajtur dhe detyrën e zëvendëspresident i Parlamentit Evropian është qëlluar në fytyrë nga një person i armatosur dhe i maskuar në një nga lagjet e pasura të Madridit. Vidal-Quadrasndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, shkruan El Pais. Shërbimet e urgjencës të Madridit konfirmuan se një 78-vjeçar u mjekua për plagë me armë zjarri pasi u sulmua në mesditë.
Ndërsa hetimet e policisë janë duke vazhduar, El Pais vuri në dukje raportet se njeriu që qëlloi Vidal-Quadras kishte veshur një helmetë motorrike. Pasi qëlloi me armë, ai hipi në një motoçikletë që drejtonte dikush tjetër dhe të dy u larguan nga vendi i krimit.
Vidal-Quadras ishte anëtar i Partisë Popullore për pjesën më të madhe të karrierës së tij politike, duke shërbyer si anëtar i Parlamentit Evropian nga 1999 deri në 2014 dhe si nënkryetar i parë i Parlamentit Evropian nga 2004 në 2007. Në vitin 2014, ai njoftoi se po largohej nga partia kryesore konservatore për të bashkëthemeluar partinë e ekstremit të djathtë Vox.