
ITALI- Disa anëtarë të stafit mjekësor në Policlinico Riuniti të Foggiës u dhunuan me grushte dhe shkelma nga të afërmit e një vajze 23-vjeçare nga Cerignola, e cila ndërroi jetë gjatë një operacioni. Sulmi ndodhi në repartin e kirurgjisë, ku kirurgët, anestezistët dhe personeli tjetër u dhunuan pasi familja mori lajmin për vdekjen e saj raportojnë mediat vendase.
Rreth pesëdhjetë persona hynë në repart, dhe afërsisht njëzet prej tyre u përplasën me personelin mjekësor. Një kirurg u godit në fytyrë, duke pësuar plagë të rënda, ndërsa një mjek tjetër pësoi thyerje të dorës. Stafi arriti të futej në një dhomë dhe lajmëroi policinë, e cila me vështirësi arriti të rikthente qetësinë në spital.
Policia nisi hetimet për të identifikuar autorët e sulmit. Drejtoria e poliklinikës ka nisur një hetim të brendshëm për të analizuar ngjarjen. Vajza ishte përfshirë në një aksident automobilistik dhe duhej të operohej por fatkeqisht nuk mundi ti mbijetojë plagëve të marra./ ZËRI