Bota

30 korrik/LDK mbledh Kuvendin e jashtëzakonshëm për të vendosur fatin e Abdixhikut

Vendimi për thirrjen e Kuvendit vjen pasi një grup delegatësh dorëzuan nënshkrimet e nevojshme për nisjen e procedurës.

M.K.
30 korrik/LDK mbledh Kuvendin e jashtëzakonshëm për të
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

KOSOVË- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm, i cili do të mbahet më 30 korrik, ku në qendër të diskutimeve pritet të jetë nisma për shkarkimin e tij nga drejtimi i forcës politike.

Në një njoftim të publikuar këtë të hënë në facebook, LDK bëri me dije se mbledhja do të zhvillohet të enjten, më 30 korrik, në orën 18:00.

Vendimi për thirrjen e Kuvendit vjen pasi një grup delegatësh dorëzuan nënshkrimet e nevojshme për nisjen e procedurës. Sipas Sekretariatit të Përgjithshëm të LDK-së, pas verifikimit të dokumentacionit është konstatuar se është plotësuar kërkesa statutore, me mbështetjen e të paktën një të tretës së delegatëve të Kuvendit.

Kuvendi i LDK-së përbëhet nga 354 delegatë të zgjedhur në degët e partisë, ndërsa pjesë e tij është automatikisht edhe kryetari i partisë.

Nisma për largimin e Abdixhikut lidhet me pakënaqësitë e shfaqura brenda LDK-së pas rezultatit në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku partia u rendit e treta dhe siguroi 18 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Situata e krijuar në LDK ka ndikuar edhe në procesin e negociatave për formimin e institucioneve të reja. Para nisjes së kësaj nisme, Abdixhiku kishte zhvilluar takime me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për mundësinë e një marrëveshjeje politike. Megjithatë, ai vendosi t'i ndërpresë bisedimet për shkak të zhvillimeve të brendshme në parti.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 6 gusht. Deri atëherë pritet të bëhet e qartë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të drejtojë LDK-në dhe nëse dialogu mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje do të rifillojë.

Çfarë pritet të ndodhë në kuvendin e LDK-së?

Në kuvendin e 30 korrikut do të shtjellohet çështja e ngritur nga anëtarët e partisë për shkarkimin e kryetarit.

Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë nëse e rifiton votëbesimin, por në rast se e humb atë, atëherë LDK-ja duhet ta zgjedhë një kryetar të ri.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për atë se cila do të jetë agjenda e plotë e kuvendit.

Por, sipas statutit të LDK-së, nëse kryetari i tanishëm shkarkohet, atëherë duhet të thirret një kuvend i ri brenda 60 ditësh, ku do të zgjidhej kryetari i ri.

Si erdhi deri këtu?

Pasi LDK-ja, e cila garoi në një listë të përbashkët me ish-presidenten Vjosa Osmani, dështoi të arrijë rezultat bindësh zgjedhor më 7 qershor, filluan zëra pakënaqësish brenda partisë, të cilët nuk ishin diçka e re, gjithsesi.

Në fund të qershorit, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.

Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.

Por, tani ai do të përballet me kërkesën e anëtarëve të partisë së vet për shkarkimin e tij në kuvendin e 30 korrikut.

Kjo nuk është hera e parë që kërkohet dorëheqja e Abdixhikut, pasi ngjashëm ndodhi edhe në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.

Në janar ai i mbijetoi një votëbesimi që e kishte kërkuar vetë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.

Por, disa figura partiake kishin kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim. Në mesin e tyre ishte Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.

Para atij Kuvendi, anëtari tjetër i kësaj partie, Avdullah Hoti e shpalli kandidaturën për kryetar të partisë, por delegatët diskutuan vetëm për performancën e Abdixhikut.

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.

Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit./ZËRI

Poll

MOS HUMB