
SHBA- Një gjykatë federale amerikane dënoi me 30 vjet burg 44-vjeçarin që hyri në shtëpinë e Nancy Pelosit dhe plagosi burrin e saj në tetor 2022. David DePape, sipas prokurorëve, ishte i motivuar nga teoritë konspirative të ekstremit të djathtë. Ai vetë pranoi në dëshminë e tij se qëllimi i tij ishte të merrte peng Pelosin.
Në një sulm të motivuar politikisht, David DePape hyri me forcë në shtëpinë e demokratit Pelosi në San Francisko në orët e hershme të mëngjesit të 28 tetorit 2022, një javë përpara zgjedhjeve afatmesme të atij viti. Pelosi, atëherë ishte ende Kryetare e Dhomës, ishte në Uashington.
44-vjeçari u përball me bashkëshortin e saj, Paul, dhe e goditi atë në kokë me një vare. Efektivët e policisë që kanë mbërritur në vendngjarje e kanë imobilizuar dhe e kanë arrestuar. Një juri e dënoi atë nëntorin e kaluar për tentativë rrëmbimi të një zyrtari federal dhe sulm ndaj një anëtari të familjes.
Paul Pelosi, 82 vjeç, pësoi një thyerje të kafkës dhe lëndime të tjera që e prekin edhe sot e kësaj dite, ka përshkruar ai në një letër drejtuar gjykatës përpara shpalljes së sotme të vendimit. Ai ka një pllakë metalike të përhershme në kokë, vuan nga marramendje, dëmtime të përhershme të nervit në krahun e majtë dhe ka vështirësi në mbajtjen e ekuilibrit.
Në një letër të veçantë, Nancy Pelosi, gruaja e parë që u zgjodh kryetare e Dhomës, i kërkoi gjykatësit të vendoste një dënim "shumë të fortë". Ajo vuri në dukje se DePape, pasi hyri në shtëpi, dyshohet se bërtiti "Ku është Nancy?", një frazë e kënduar nga disa nga sulmuesit në Kapitol më 6 janar 2021, kur mbështetësit e republikanit Donald Trump u përpoqën të përmbysnin zgjedhjen e Joe Biden.
Duhet theksuar se Dupape është një shtetas kanadez, i cili jetonte ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjithashtu do të gjykohet veçmas në gjykatën shtetërore për vjedhjen e shtëpisë dhe tentativën e vrasjes së Paul Pelosit, akuza që mbartin një dënim nga 13 vjet deri në burgim të përjetshëm. Ai është deklaruar i pafajshëm për këto akuza./ZËRI