
KOSOVË-Ka dështuar edhe seanca e 32-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe sot, deputetët nuk arritën të bien dakord për formimin e Komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin. Nga 75 deputetë të pranishëm për formimin e këtij komisioni, pro votuan 45 deputetë, 1 ishte kundër dhe nuk pati abstenim.
Seanca e radhës vazhdon pas 48 orësh, të martën e 17 qershorit, në orën 10:00. Ky dështim i radhës ndodhi disa ditë pasi kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku shpalosi një agjendë 15-pikëshe për një qeveri të unitetit, duke i ftuar të gjitha partitë parlamentare ta formojnë atë si mënyrë për të dalë nga kriza politike.
Propozimi i LDK-së u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa PDK preferon një ekzekutiv mes partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion të tillë e preferon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit./ZËRI