Bota

Abazoviç sqaron votën e Malit të Zi kundër Kosovës: Kemi një realitet të ri

Dy vota kundër ishin të deputetëve të Serbisë, kurse nga një votë kundër ishte nga deputetët e Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi, kurse deputeti i Greqisë, Aleksis Cipras ka abstenuar.

a.l
Abazoviç sqaron votën e Malit të Zi kundër Kosovës:
Dritan Abazoviç

MAL I ZI-  Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka miratuar dje raportin për Kosovën, duke i hapur rrugën hapave të ardhshëm drejt anëtarësimit në këtë organizatë. Dy vota kundër ishin të deputetëve të Serbisë, kurse nga një votë kundër ishte nga deputetët e Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi, kurse deputeti i Greqisë, Aleksis Cipras ka abstenuar.

Lidhur me këtë, një reagim ka ardhur edhe nga Dritan Abazoviç i cili pohoi se nëse do të ishte ende kryeministër, Mali i Zi nuk do të votonte kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE. 

“Gjatë mandatit tim, ne e mbështetëm tërësisht Kosovën. Por ky është realiteti i ri. Kjo ndodh sepse mazhoranca është krijuar me parti që nuk ndajnë të njëjtin vizion, programe dhe vlera. Ata mendojnë se kjo mund të funksionojë, unë them të kundërtën", u shpreh ai në një intervistë për Euronews Albania. 

I pyetur për mungesën e rezultateve konkrete në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Abazoviç bëri një apel për të dyja palët.

“I kemi humbur 20 vite, nuk mund të presim edhe 20 të tjera, por duhet të jemi konkretë. Unë e mbështes gjetjen e marrëveshjes përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës dhe i ftoj të dyja palët, qeveritë, udhëheqësit të ulen së bashku dhe të gjejnë zgjidhjen për të ardhmen e atyre njerëzve që jetën e tyre e shohin në rajon", tha ai. 

Kosovës i nevojiten votat e 2/3 të deputetëve Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të pasur dritë jeshile për anëtarësimin. Më pas, vendimi do t’i kalojë Komitetit të Këshillit të Ministrave për t’u miratuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB