
SHBA-Administrata e presidentit Donald Trump ka ngrirë mbi 2.2 miliardë dollarë fonde federale të destinuara për Universitetin e Harvardit, vetëm disa orë pasi institucioni refuzoi një listë kërkesash të Shtëpisë së Bardhë që synonin, sipas tyre, luftimin e antisemitizmit në kampus.
Në një deklaratë zyrtare, Departamenti i Arsimit kritikoi ashpër qëndrimin e Harvardit, duke e cilësuar atë si përfaqësues të një “mentaliteti të të drejtave të pamerituara” që sipas tyre është i përhapur në universitetet elitare amerikane, shkruan CNN.
Administrata Trump ka paralajmëruar shumë universitete anembanë SHBA-së me shkurtime fondesh nëse nuk do të bëheshin ndryshime në politikën e shkollës, ndërkohë kanë justifikuar vendimin duke thënë se masa synon të luftojë antisemitizmin në kampuse dhe të ndalojë përdorimin e fondeve federale- sipas tyre për nxitje të diskriminimit racor.
“Presidenti Trump po punon për ta bërë arsimin e lartë sërish të shkëlqyeshëm. Nëse Harvardi dëshiron të shkelë Titullin VI, ai nuk ka të drejtë për financim federal,” deklaroi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Harvard aktualisht zotëron një fond të dhurimeve prej 53.2 miliardë dollarësh, megjithatë një numër i madh projektesh kërkimore në bashkëpunim me qeverinë janë në rrezik. Ndër këto projekte përfshihen studime në fushat e shëndetësisë, inteligjencës artificiale, klimës dhe inovacionit teknologjik.
Qeveria ka njoftuar se do të shqyrtojë gjithashtu 8.7 miliardë dollarë në grante të tjera dhe më shumë se 255 milionë dollarë kontrata mes Harvardit dhe agjencive federale./ZËRI