WASHINGTON- Administrata amerikani e Donald Trump ngriti një padi të premten kundër Universitetit të Harvardit, duke e akuzuar atë për dështim në adresimin e antisemitizmit dhe diskriminimit ndaj studentëve hebrenj dhe izraelitë.
Sipas Politico, ky është episodi më i fundit në mosmarrëveshjen midis qeverisë federale dhe universitetit, por mund të jetë më seriozi deri më tani. Padia mund të jetë madje shkas për heqjen e të gjitha fondeve federale nga universiteti.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se që nga 7 tetori 2023, studentët hebrenj dhe izraelitë në Harvard "i janë nënshtruar ngacmimeve, dhunës fizike, ndjekjes dhe pështymës", "kanë duruar një mjedis armiqësor mësimor" dhe universiteti "u ka mohuar vazhdimisht atyre aksesin në mjediset arsimore nga protestuesit antisemitë".
"Përgjigja e Harvardit ndaj kwsaj? Nuk bëri asgjë", thuhet në padinë prej 44 faqesh të paraqitur në Gjykatën e Qarkut të Massachusetts. "Fakulteti dhe administrata e tij mbyllën sytë ndaj antisemitizmit dhe diskriminimit kundër hebrenjve dhe izraelitëve. Studentët dhe anëtarët e fakultetit kanë shkelur rregullat e Harvardit në lidhje me kohën, vendin dhe mënyrën e sjelljes pa u ndëshkuar; rregulla që Harvardi i ka zbatuar dhe do t'i zbatojë kundër kujtdo tjetër".
Ajo që kërkon qeveria është të ndalojë pagesën e të gjitha granteve ekzistuese për universitetin dhe kërkon që Harvardi të kthejë të gjitha grantet e paguara që të paktën nga 7 tetori 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin.
Presidenti i Harvardit, Alan Garber, ka pranuar se antisemitizmi është një problem në universitet dhe thotë se institucioni ka bërë përpjekje për ta adresuar atë.
Marsin e kaluar, raportoi Politico, administrata Trump filloi një shqyrtim të granteve dhe kontratave federale prej rreth 9 miliardë dollarësh të Harvardit dhe më vonë ngriu më shumë se 2 miliardë dollarë në një goditje kundër antisemitizmit në universitet. Kur universiteti kundërshtoi, administrata sfidoi të drejtën e Harvardit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë dhe kërcënoi përjashtimin e tij nga taksat.
Harvardi ngriti padi për të rifituar fondet federale të kërkimit dhe për të mbrojtur studentët e tij ndërkombëtarë. Në shtator, një gjyqtar federal mbajti anën e universitetit dhe vendosi që përpjekja e qeverisë për të ngrirë fondet ishte e paligjshme, një fitore e madhe për universitetin. Gjykatësi gjithashtu e ndaloi qeverinë të revokonte aftësinë e universitetit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë./ZËRI