FRANCË-Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Izraelit të pranojë bisedime të drejtpërdrejta me autoritetet e Libanit dhe me të gjithë përbërësit politikë të vendit, duke ofruar që këto negociata të zhvillohen në Paris. Në një mesazh të postuar në X, presidenti francez tha se të premten foli me disa udhëheqës libanezë, përfshirë Joseph Aoun, kryeministrin Nawaf Salam dhe kryetarin e parlamentit Nabih Berri.
Macron theksoi rëndësinë e nisjes së dialogut që përfshin "ekzekutivin libanez dhe të gjithë komponentët" e vendit.
“Duhet bërë gjithçka për të parandaluar që Libani të zhytet në kaos”, tha Macron. Ai gjithashtu i bëri thirrje Hezbollahut që “të ndalojë menjëherë sulmin e tij të pamëshirshëm”, ndërsa i kërkoi Izraelit të shmangë një ofensivë tokësore në shkallë të gjerë dhe të ndalojë sulmet e tij të rënda në Liban.
Macron paralajmëroi për ndikimin humanitar të luftimeve, duke vënë në dukje se qindra mijëra njerëz tashmë kanë ikur nga bombardimet në disa pjesë të Libanit. Sipas tij, vetëm një zgjidhje diplomatike mund të parandalojë destabilizimin afatgjatë të vendit.