
MAQEDONI E VERIUT- Sot shënohen 20 vite nga vdekja e ish-presidentit Boris Trajkovski, i cili e humbi jetën në një aksident ajror në Rotimlje, në afërsi të Mostarit.
Ngjarja ka ndodhur më 26 shkurt 2004, ku rrëzimi i një avioni shkaktoi disa viktima, kreun e shtetit dhe një delegacion prej tetë anëtarësh që po udhëtonin për në një Konferencë Ndërkombëtare në Mostar. Përveç presidentit Trajkovskit humbën edhe zëdhënësja Dimka Ilkova Boshkoviç, këshilltarët Risto Blazhevski dhe Anita Lozanovska, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Mile Krstevski, truprojat Ace Bojinovski dhe Boris Velinovski, si dhe piloti dhe bashkëpiloti i aeroplanit.
Qeveria maqedonase do të mbajë sot disa aktivitete shtetërore në kujtim të Trajkovskit dhe viktimave. Siç njofton shërbimi për shtyp i qeverisë, në përkujtimin e sivjetmë në Varrezat e qytetit në Butel, me fillim nga ora 12:00, te varri i presidentit Trajkovski, do të marrë pjesë bashkëshortja e tij Vilma Trajkovska dhe do të vendosë lule me familjarët, kryetari i shtetit, shkruajnë mediat maqedonase.
Stevo Pendarovski, delegacion i Kuvendit të kryesuar nga kryetari Jovan Mitreski, delegacion i Qeverisë në përbërje të Sllavica Grkovska, zëvendëskryeministre për politika të qeverisjes së mirë dhe Risto Penov, ministër për vetëqeverisje lokale. Lule do të vendosë edhe një delegacion i Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe një delegacion i Unionit të Luftëtarëve të NOAVM-së i udhëhequr nga Naum Bureski, nënkryetar i Bordit Kryesor të SBM-së.
Hetimet për ngjarjen
Për këtë ngjarje janë zhvilluar edhe dy hetime nga dy komisione të ndryshme për të kuptuar nëse ka qenë aksident ajror apo ka qenë “akt terrorist”, prej të cilave dolën edhe dy raporte të ndryshme.
Në të dy raportet, të cilët dallojnë nga njëri-tjetri, megjithatë, si shkak për rënien e avionit theksohen gabimet e pilotit dhe mangësi të tjera indirekte të sistemit. Në raportin e parë si shkak kryesor për rrëzimin e avionit janë theksuar gabime proceduriale në periudhën e aterimit, për nga lartësia dhe nga vendi, në aeroportin në Mostar, në fluturim të kontrolluar.
Në raportin e dytë janë theksuar edhe disa mangësi sistematike, ndërsa është publikuar edhe transkripti i kutisë së zezë, respektivisht gjithë biseda mes pilotëve dhe biseda me kontrollin e fluturimit, raportojnë mediat shqiptare në RMV./ ZËRI