
LONDËR- Dy gra britanike kanë akuzuar influencuesin kontrovers të mediave sociale Andrew Tate për përdhunim dhe dhunë, raporton BBC. Po ashtu, Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan, po përballen me akuza për trafikim njerëzor dhe shfrytëzim seksual në Rumani. Nëse dënohen, vëllezërit mund të dënohen me më shumë se 10 vjet burg, por të dy i mohojnë akuzat.
Andrew Tate, aktualisht është në arrest shtëpiak në Rumani dhe po hetohet për akuza të shumta, duke përfshirë përdhunimin e një të miture dhe trafikim njerëzor të të miturve. Ndërsa dy gra të tjera kanë folur për BBC, të cilat dëshmojnë se janë sulmuar nga vëllezarit Tate, para se ata të akuzoheshin në Rumani.
Një nga vajzat foli në mënyrë anonime se ajo ishte fillimisht në një lidhje me Andrew Tate në vitin 2013, por kur ata po ndaheshin ai e përdhunoi dhe tentoi ta mbys.
“Ne po debatonim dhe ai më tha: Jam duke e menduar nëse duhet të të përdhunoj ose jo. Më pas ai më solli mesazhe shqetësuese duke më thënë se: Sa më shumë që ty nuk të pëlqeu, aq më shumë më pëlqeu mua. Më pëlqen të të përdhunoj. Pas kësaj nuk isha më e njëjta”, tha ajo për BBC.
Po ashtu, një vajzë tjetër e cila po ashtu foli në mënyrë anonime tha se ata u njohën në vitin 2014 dhe teksa po kryenin marrëdhënie seksuali, ai filloi ta mbys atë. Më pas ai e përdhunoi atë.
“Isha absolutisht e tmerruar. Thjesht mbaj mend që gulçova për ajër... I kërkova që të ndalonte dhe nuk e bëri, ai më përdhunoi”, rrëfeu ajo.
Ajo u zgjua me një sy të përgjakur të nesërmen, një simptomë e zakonshme e mbytjes në rastet e abuzimit në familje. Një person tjetër, gjithashtu konfirmoi rrëfimin e saj, duke thënë se ajo i tregoi për incidentin në atë kohë dhe plagën e saj në sy.
Akuzat e dy grave pasojnë një sërë pretendimesh të tjera të ngjashme. Shumë gra thonë se Tate filloi t’i kontrollonte dhe më pas abuzoi me to.
Vëllezërit Tate po përballen me sfida të shumta ligjore, duke përfshirë akuzat për trafikim dhe shfrytëzim prostuticioni në Rumani, ku prokurorët thonë se gratë transportoheshin nga Mbretëria e Bashkuar dhe shfrytëzoheshin seksualisht. Pavarësisht akuzave të shumta, Andrew Tate mohon të ketë lënduar ndonjëherë dikë, duke pretenduar në një intervistë të BBC-së në vitin 2023 se ai kurrë nuk është përfshirë në akte jo-konsensuale. /ZËRI