Bota

ALARMI/ Zhduket Navalny, s’ka folur me aleatët për 6 ditë

Bashkëpunëtorët më të afërt të liderit opozitar rus Alexei Navalny kanë thënë se ai ka 6 ditë që ka humbur kontaktet dhe se edhe në një rast gjyqi që do mbahej online, ai nuk ishte shfaqur.

D.XH
ALARMI/ Zhduket Navalny, s’ka folur me aleatët për 6 ditë
Alexei Navalny

MOSKË - Lideri i burgosur i opozitës ruse Alexei Navalny nuk është bërë i gjallë për 6 ditë. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e tij. Kira Yarmysh shkroi në mediat sociale se nuk kanë ende informacione se ku ndodhet Navalny.

Shtëpia e Bardhë tha se ishte thellësisht e shqetësuar nga raportimet. Ndihmësit e Navalny-t prisnin që ai të transferohej në një burg me një regjim më të rreptë, pasi t'i zgjatej dënimi me burg. Ata thonë se zhdukja e tij lidhet me njoftimet e fundit për zgjedhjet.

Të premten, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi synimin e tij për t'u rizgjedhur në mars të vitit të ardhshëm. Në gusht, Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, të cilën ai e mohon, ndërsa do të vuante 19 vite burg shtesë. Ai tashmë ishte dënuar me nëntë vjet për shkelje të lirimit me kusht, mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës. Të gjitha akuzat kundër tij konsiderohen gjerësisht si të motivuara politikisht.

Atij iu tha se do t'i duhej të vazhdonte burgosjen e tij në një regjim të posaçëm, një lloj burgu i cili zakonisht rezervohet për kriminelët e rrezikshëm, ata që bëjnë sërish krime dhe ata që i nënshtrohen burgimit të përjetshëm. Bashkëpunëtorët e Navalnyt thanë më herët të hënën se nuk kishin asnjë lajm prej tij për gjashtë ditë.

Ai kishte munguar në disa paraqitje të fundit në gjykatë, të cilat në të kaluarën i ka ndjekur me video lidhje. Autoritetet e burgut thanë se ka mungesa në teknologji. Një aleat i Navalnyt ka thënë se Putin e ka të qartë se Navalny është kundërshtari i tij kryesor e nuk dëshiron që zëri i tij të dëgjohet. Për më shumë se një dekadë, Navalny u përpoq të ekspozonte korrupsionin në pushtetin rus. Hulumtimet e tij me video kanë marrë dhjetëra e miliona shikime në internet.

Një aktivist karizmatik, ai dukej se ishte i vetmi lider i opozitës ruse i aftë për të mobilizuar njerëz në një numër të madh anembanë Rusisë, duke marrë pjesë në protesta antiqeveritare. Por në vitin 2020, ai u helmua në Siberi nga ajo që laboratorët perëndimorë më vonë konfirmuan se ishte një agjent nervor. Një raport i mëvonshëm nga gazeta investigative Bellingcat dhe faqja ruse e lajmeve The Insider implikoi disa agjentë të shërbimit të brendshëm të sigurisë ruse, FSB, në këtë sulm.

Pasi u shërua nga sulmi nervor, Navalny u kthye në Rusi në vitin 2021, pavarësisht paralajmërimeve se ai mund të arrestohej. Ai u arrestua menjëherë pas mbërritjes në një aeroport në Moskë./ZËRI/

Poll

MOS HUMB